2011-06-01 17:19:52

Në katekizmin e Benediktit XVI paraqitja e lutjes së Moisiut që shëmbëllen Jezusin. Në maje të kryqit
sy më sy me Zotin


Kryqi është urata e Jezusit. Mbi kryq ai vërtetë gjendet sy më sy me Hyjin. Të krishterët janë të thirrur të identifikohen me kryqin “bashkëkohës i të njerëzve”. Ky është kuptimi i lutjes sonë. Kështu tha Papa duke iu drejtuar sot paradite, më 1 qershor, besimtarëve të pranishëm në takimin e zakonshëm të audiencës së përgjithshme të së mërkurës që u mbajt në sheshin e shën Pjetrit në Vatikan.Pra, në audiencën e përgjithshme, mbajtur në Sheshin e Shën Pjetrit, në Vatikan, në praninë e 20 mijë vetëve, Papa vijoi katekizmin kushtuar lutjes. Në qendër të vëmendjes, sot, figura e Moisiut, parë pikërisht si njeri i lutjes. Episodi i viçit të artë, treguar në Librin e Daljes, ishte fill përcjellës i gjithë audiencës. Ati i Shenjtë reflektoi edhe një herë për forcën e lutjes e, sidomos, për mënyrën si Moisiu ndërmjetësoi, duke iu lutur Hyjit të mos e dënonte popullin hebre, i cili kishte adhuruar një idhull, në vend të Zotit të vërtetë.
Nuk ka asnjë dyshim se popullin hebre, që marshonte drejt Tokës së Premtuar, e shpëtoi nga mijëra rreziqe, që i dolën para gjatë këtij shtegtimi tejet të vështirë, ndëmjetësimi i vazhdueshëm i Mosiut pranë Zotit. E Zoti iu përgjigj gjithnjë, duke mos ia kursyer mbrojtjen.
Kështu Moisiu, profeti i madh e prijësi i shquar në kohën e Daljes nga Egjipti, luajti rolin e ndërmjetësuesit të popullit të vet pranë Zotit, duke u kumtuar hebrenjve fjalët dhe urdhërimet hyjnore, për t’u prirë, pastaj kah Dheu i Premtuar. Mosiu i mësoi izraelitët të jetojnë sipas urdhërimve të Tënzot. Ai ushqeu vazhdimisht besim e shpresë në zemër të popullit të vet, që shpesh lëkundej e dëshpërohej gjatë ecjes në rërën pa fund të shkretisë. E këtë e bëri posaçërisht duke i mësuar njerëzit e tij të luten. Ai lutet për Faraonin, kur Zoti, me plagët e rënda, përpiqet t’i kthejë zemrat e egjiptianëve (cfr Dal. 8-10); lutet edhe për shërimin e së motrës, Marisë, që u sëmur nga gërbula (cfr Nr. 12, 9-13). Moisiu lutet kur zjarri po shkrumbonte fushimin (cfr Nr. 11,1-2) e edhe kur gjarpërinjtë e helmatisur nisën të bëjnë kërdi mbi njerëzit e tij (cfr Nr 21. 4-9). I drejtohet gjithnjë Zotit e reagon duke protestuar, kur barra e misionit të tij nis t’i rëndojë përtej fuqive (cfr Nr 11, 10-15). Moisiu e shikon Zotin e flet me të “sy më sy”, ashtu si flet njeriu me mikun e vet (cfr Dal 24, 9-17; 33, 7-23;34,1-10.28-35.
Ndërmjet gjithë këtyre ngjarjeve, Papa theksoi më simboliken, atë të viçit të artë. Historia njihet: ndërsa mbi majen e Sinait Zoti i dorëzon Moisut rrasat e Ligjit, në luginë hebrenjë tërbohen. I lodhur nga shtegtimi me një Zot të padukshëm, tani që edhe Moisiu, ndërmjetësuesi, është zhdukur, populli - kujtoi Papa – kërkon një prani të dukshme, një zot, që i shkon më shumë për shtat njeriut, që mund të përkojë me prirjet e tij, me qëllimet e tij:
“Ky është tundimi i përhershëm në shtegtimin e fesë: t’i shmangesh misterit hyjnor, duke ndërtuar një zot të kuptueshëm, që pajtohet me skemat tona, me planet tona. E kur kjo ndodh në Sinai, tregon gjithë kotësinë e marrë e të rreme të këtij pretendimi sepse, siç pohon me ironi Psalmi 106, “shkëmbehet lavdia, me figurën e një viçi, që ha bar”.
Zoti komunikon me Moisiun e i kumton se ka vendosur t’i dënojë izraelitët, që e tradhtuan dashamirësinë e tij; Mosiu i përgjigjet, duke kërkuar falje, në një ndeshje, që të kujton menjëherë atë të Hyjit me Abrahamin, kur është fjala për shpëtimin e Sodomës e të Gomorrës. Ndeshje, në të cilën – shpjegoi Benedikti XVI – vetë Zoti dëshiron që krijesa ta kuptojë, përmes lutjes, se dëshira e vetme e Atij të Lumit, është pikërisht ‘të falë’
Ky është shpëtimi i Zotit, që mëshiron, por duke e shpallur të vërtetën mbi mëkatin, mbi të keqen, kështu që mëkatari, si ta ketë pranuar, të pendohet, ta lërë veten në dorë të Zotit, që ta falë e ta shndërrojë. Lutja e ndërmjetësimit e bën, kështu, veprues, në realitetin e kalbur të njeriut mëkatar, mëshirën hyjnore, që gjen shprehje në përgjërimin e lutësit, i cili kërkon falje, atje ku ka nevojë për shpëtim”.
Papa u ndalua edhe tek argumentet e përdorura nga Moisiu për ta bindur Zotin. I kujtoi, për shembull se, duke e pasë çliruar Izraelin nga egjiptianët, për ta bërë pastaj të vdesë në shkretirë, mund ta shtynte popullin të mendonte se Zoti ishte i paaftë të fitonte mbi mëkatin e mbi të keqen:
“Vepra e shpëtimit, që nisi, duhej çuar deri në fund; në se Zoti do ta zhdukte popullin e vet nga faqja e dheut, kjo mund të shikohej si paaftësi hyjnore për ta përmbushur pikërisht planin e shpëtimit. Zoti nuk mund ta lejojë këtë: ai është Zot i mirë, që shpëton; është mbrojtës i jetës, është Hyj i mëshirës e i faljes, Hyj i çlirimit nga mëkati, që vret. E kështu Moisiu i bën thirrje Zotit, jetës së brendshme të Hyjit, kundër vendimit të tij të jashtëm”.
Në përfundim, duke folur lirisht, jasht tekstit zyrtar, Papa kujtoi se kjo faqe e Besëlidhjes së Vjetër, na shoqëron tek Besëlidhja e Re, tek figura e ndërmjetësuesit të vërtetë, të dërguar nga Hyji një herë e përgjithmonë për ta shëlbuar njerëzimin e të gjitha kohëve, jo duke i imponuar një ligj, por duke flijuar jetën e vet:
“Në figurën e Moisiut, në maje të malit, që e shikon sy më sy Zotin e ndërmjetëson për popullin e vet, duke dhuruar vetveten, Etërit e Kishës panë shëmbëllimin e Krishtit, i cili, nga maja e lartë e kryqit, është vërtet para syve të Zotit, e jo vetëm si mik e si bir, sepse ndërmjetësimi i tij nuk është thjesht solidaritet, por njëjtësim me ne: na përfshin të gjithëve në korpin e vet. E kështu e gjithë jeta e tij si njeri e si Bir, s’është tjetër, veçse një britmë drejtuar zemrës së Hyjit, është falje, por falje që shndërron e rinon”.
Për t’u kujtuar, ndërmjet përshëndetjeve, ajo në gjuhën polake, gjatë së cilës Benedikti XVI kujtoi përsëri Lumnimin e Gjon Palit II, duke ua paraqitur të rinjve si Atë, prijës, mik, e duke kujtuar ngulmimin e tij në lutje, aftësinë për t’ia hapur zemrën të gjithëve e për të hyrë në zemrën e të gjithëve.
Pastaj, në gjuhën kroate, ceku shtegtimin e tij apostolik në Zagreb, më 4 e 5 qershorin e ardhshëm, për Ditën e Familjeve kroate:

“Ndërsa e pres me gëzim këtë takim, ju ftoj të luteni që shtegtimi im në këtë tokë të sjellë shumë fryte shpirtërore e që familjet e krishtera të jenë kripë e tokës e dritë e botës”.







All the contents on this site are copyrighted ©.