2011-06-01 16:04:26

Në Francë, takim ndërmjet Nuncit Apostolik dhe burrit të Asia Bibit


E bija dhe i shoqi i Asia Bibit, gruas së krishterë dënuar me vdekje për blasfemi në Pakistan, ndodhen këto ditë në Francë, ku janë takuar me autoritete fetare e civile. Dje në Paris, Nunci Apostolik i Francës, imzot Luigji Ventura u shprehu atyre afërsinë e Papës, siç na shpjegon ai vetë, në mikrofonin tonë:
U shpreha sidomos lutjen e Atit të Shenjtë, duke u dhënë një Rruzare të bekuar nga Papa. I sigurova, u përsërita fjalët e Benediktit XVI në audiencën e një të mërkure në nëntor, gjatë së cilës shprehu shqetësim për gjendjen e vështirë të të krishterëve në Pakistan dhe premtoi t’u qëndrojë afër viktimave të dhunës e të diskriminimit. Nënvizova këtë afërsi shpirtërore të Atit të Shenjtë me Asia Bibin e familjen e saj, duke uruar që t’i jepet asaj liria.
Historia e Asia Bibit, dënuar me vdekje për blasfemi në Pakistan, vë në dukje luftën ndërmjet prirjeve fondamentaliste dhe atyre për mbrojtjen e lirisë së fesë…
Rasti është emblematik. Është rast personal, që u bën përshtypje njerëzve, por është edhe rast simbolik, pasi vlera e lirisë fetare duhet të gjejë hapësirën e vet. Në Pakistan, ekziston ky ligj që dënon me vdekje, por ka edhe forca, që punojnë për zhvillimin e mirë të situatës. Vetë familja e Asia Bibit pranon se ndër myslimanë ka njerëz në favor të miqësisë, të respektit, të solidaritetit, por njëkohësisht, ka edhe radikalizime e fanatizma, të vështirë për t’u shkulur përfundimisht.
Megjithatë, mbrojtja e lirisë fetare është vlerë dhe parim edhe për shumë myslimanë…
Familjarët e Asia Bibit më thanë se në takimin me hoxhën e xhamisë së Parisit, ai vetë i ngushëlloi, duke cituar një frazë të Kuranit, e cila tregon se Zoti nuk e do vdekjen e duke shpëtuar një njeri, shpëton gjithë njerëzimin. Edhe ai shprehu urimin e respektimit të lirisë fetare për të gjithë. Pra, ekziston një rrugë e përbashkët, shumë e rëndësishme, pasi liria fetare është e lidhur me çdo lloj lirie tjetër. Por ato që tani për tani janë ndjenja, mendime duhet të bëhen edhe aksione politike.







All the contents on this site are copyrighted ©.