2011-06-01 16:23:42

Kryeministri Thaçi: nuk ka ndarje të Kosovës, ide antihistorike


Kryeministri, Hashim Thaçi duke iu kundërpërgjigjur kërkesave të zyrtarëve serbë për ndarje të Kosovës kërkoi nga ata që t’i stopojnë këto deklarime, pasi në të kundërtën sipas tij, kërkesat e Kosovës mund të jenë më të mëdha se ato të tyre.
Kryeministri Thaçi këto komentoi sot në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës, me ç’rast i garantoi qytetarët se nuk do të ketë ndarje të Kosovës, ndryshim kufijsh apo cenim të integritetit.
Ai u bëri me dije ithtarëve të ideve antihistorike, se pavarësia e Kosovës është minimumi i arritjeve dhe nëse sipas tij “Prishtina hapë tema të tilla atëherë Beogradi nuk do të mund t’i mbyllë kurrë”.
Kreu i Qeverisë së Kosovës i bëri thirrje Beogradit që t’i tregojë qytetarëve të veriut të Mitrovicës se Kosova është vend i tyre dhe Prishtina kryeqytet i tyre.
Ndryshe, zëvendëskryeministri serb, Ivica Dacic, njëherësh ministër i Punëve të Brendshme, ka thënë se Serbia ka bërë gabim të madh, ngase për Kosovën nuk ka biseduar me Shqipërinë, duke ripotencuar se Kosova duhet të ndahet midis Serbisë dhe Shqipërisë. /nga Telegrafi/







All the contents on this site are copyrighted ©.