Përfundon muaji i majit, kushtuar Zojës së Bekuar: në Kopshtet e Vatikanit, me procesionin
tradicional me pjesëmarrje të Papës.
Sonte, duke nisur nga ora 20.00, qindra besimtarë përshkojnë përsëri rrugëzat e Kopshteve
të Vatikanit, duke thënë Rruzaren Shenjte, në përfundim të muajit marian. Në sa mbi
Kopshtet e Vatikanit ka rënë dalë-nga-dalë muzgu, besimtarët po i shprehin, përmes
lutjes, mirënjohjen Zotit Krijues. Çdo vit, më 31 maj, qindra flakëza ndriçojnë
rrugicat e bleruara të kopshteve të Vatikanit. Janë qirinjtë e besimtarëve, që i luten
Zotit përmes ndërmjetësimit të Nënës Qiellore, dhe u këndon vetë zemra, në sa ecin
nga Kisha e Shën Shtjefnit të Abisinëve, pas Bazilikës së Shën Pjetrit, për të arritur
tek Shpella e Lurdës në maje të kopshteve vatikanase, ku është në kremtim e sipër
Liturgjia e Fjalës së Zotit, kryesuar nga kardinali Anxhelo Komastri, Kryeprift i
Bazilikës së Shën Pjetrit e Mëkëmbës i përgjithshëm i Papës për Qytetin e Vatikanit.
Në përfundim të kremtimit, besimtarëve do t’u flasë personalisht Benedikti XVI i cili
i bashkohet besimtarëve të mbledhur për lutjen e mbylljes së muajit maj në nderim
të Virgjërës Mari. E duke thënë uratën e Rruzares Shenjte, besimtarët kujtojnë
lindjen e Jezusit dhe fëmijërinë e tij të parë, të udhëhequr në mënyrë pothuajse të
dukshme nga Shpirti Shenjt. E Zemra e Zojës, në përkim të plotë me atë të Birit Hyjnor,
është tempull i Shpirtit të së vërtetës, ku çdo fjalë e çdo ngjarje ruhet me fe, me
shpresë e me dashuri. Prej këndej, dëshira për t’i përngjarë Nënës së Jezusit,
sepse në shkollën e Marisë edhe ne mësojmë ta njohim praninë e Shpirti Shenjt në jetën
tonë, ta ndjejmë frymëzimin që vjen prej Tij e ta ndjekim përvujtërisht. Ai na bën
të rritemi, sipas natyrës së Krishtit, e na dhuron frytet e mira, që Shën Pali Apostull
i numëron në Letrën drejtuar Galatasëve: “Dashurinë, gëzimin, paqen, shpirtmadhësinë,
dashamirësinë, butësinë, besnikërinë, maturinë, përvujtërinë” (Gal 5,22). Kujtojmë
se dita e fundit e muajit të Zojës kremtohet në qindra Kisha e kapela, kushtuar Nënës
së Krishtit në të katër anët e botës, e po kështu edhe në Shqipëri, në Kosovë e në
vise tjera shqiptare, posaçërisht në shenjtëroret kombëtare të Zojës së Këshillit
të Mirë rrëzë Kështjellës Rozafa në Shkodër, në shenjtëroren e mirënjohur të Zojës
në Letnicë të Vitisë, në Zymë të Prizrenit e vende tjera.