2011-05-31 18:17:23

Në Jemen ndeshje të reja, mbi 50 të vrarë në demonstrata


Luftime të reja regjistrohen në kryeqytetin e Jemenit, Sana, mes forcave të sigurisë e mbështetësve të sheikut Sadik al-Ahmar, lider i fisit Hashed. Ndërsa intensifikohet dhuna në vend, presidenti Ali Abdullah Saleh, po përpiqet ta shtypë kryengritjen, kundër sundimit të tij më se 30 vjeçar. Shpërthime e të shtëna janë dëgjuar edhe sot që herët në mëngjes në Sana. Ndeshjet e armatosura kanë shpërthyer javën e kaluar në lagjen Hasaba, në Sana. Që atëherë kanë vdekur së paku 115 persona.
Përfaqësuesja e Lartë për politikën e jashtme e sigurinë e përbashkët e BE-së, Catherine Ashton, tha se është e “tronditur” për dhunën kundër demonstruesve paqësorë në Jemen dhe përsëriti thirrjen drejtuar presidentit Ali Abdullah Sale për të nënshkruar marrëveshjen e tranzicionit për vendin.

Aeroplanët e qeverisë i bombarduan dje disa vende rreth qytetit jugor, Zinxhibar, ku raportohet se kontrollin e kanë militantët radikalë islamistë. Rreth 30 njerëz janë vrarë në luftime për këtë qytet gjatë ditëve të fundit.
Në qytetin tjetër, Taiz, protestuesit pohojnë se janë vrarë mbi 50 vetë, kur forcat e sigurisë hapën zjarr kundër demonstruesve dhe i kanë diegur tendat e tyre. Pra mbi 50 persona janë vrarë në demonstratat e zhvilluara në qytetin jugor të Jemenit, Taiz, që prej ditës së diel, konfirmojnë aktivistë të OKB-së për të drejtat e njeriut.







All the contents on this site are copyrighted ©.