Maji, muaj i Marisë: Kisha ia beson Nënës së Hyjit nevojat e njerëzimit të mbarë botës.
Maji, muaj i Marisë: Kisha ia beson Nënës së Hyjit nevojat e njerëzimit të mbarë botës.
Sipas traditës së lashtë popullore, muaji i majit i kushtohet Marisë. E Kisha
ia beson Asaj, Nënës Qiellore nevojat e njerëzimit të mbarë botës. Maria është Nënë
e Mësuese e fesë dhe e dashurisë për të krishterët e të gjitha kohërave. Në mbrëmjen
e 31 majit, besimtarët katolikë organizojnë kremtimet përfundimtare të muajit marian
duke ia besuar veten e të gjithë ata që kanë për zemër.
Po si lind devocioni
për Zojën e Bekuar? Devocioni për Zojën e Bekuar lind nga vetë historia e shëlbimit,
është vepër e vetë Zotit. Shën Luka ungjilltar i paraprin tregimit mbi Lajmërimin
e Zojës me disa fjalë, që kanë një kuptim jashtëzakonisht vendimtar. Thotë Ungjilltari:
“Engjëlli Gabriel qe dërguar nga Zoti në një qytet të Galilesë, të quajtur Nazaret,
tek një virgjër me emrin Mari”. Kjo shtesë ka rëndësi vendimtare: na tregon se është
Zoti ai që e dërgoi Engjëllin. Prej këndej, edhe se është Zoti ai që e zgjodhi Marinë.
Ishte Zoti ai që trokiste te porta e zemrës së Marisë; kjo portë u hap dy kanatash
përpara Hyjit e që atë ças Maria u bë bashkëpunëtorja më e madhe në planin e shëlbimit.
Maria është vazhdimisht pranë Jezusit, nuk ndahet kurrë nga ai. Në se ndahet Biri
nga Nëna ose Nëna nga Biri, bëhet diçka që është kundër zgjedhjes së Zotit. Prandaj
themi se Maria na merr për dore e na çon te Krishti.
E çfarë roli ka Maria
në historinë e shëlbimit? Çka thotë për këtë doktrina katolike? Thotë gjënë
e mrekullueshme, që e pohojmë në Besojmë: Jezusi, Shëlbuesi e Biri i Hyjit, lindi
nga Zoja e Bekuar për shëlbimin tonë. Në shekujt e parë të Kishës pati diskutime të
vazhdueshme, pas të cilave Koncili i Efezit e quajti ‘Theotokos’, Nënë e Zotit. E
kjo e vërtetë preket ende thellë kur shtegtohet nëpër Evropë, e shikojmë mbishkrimin:
“Maria, Nëna e Hyjit”. Atëherë gjëja kryesore është se nuk mund ta ndajmë dot Birin
nga Nëna. E pikërisht me këtë bindje feje, Maria u quajt Zojë e Papërlyer, sepse nuk
mund të kishte asnjë njollë mëkati. Më pas, edhe e Ngjitur në qiell, dogma e fundit
e shpallur nga Piu XII - që pohon se Maria u ngjit në qiell me korp e me shpirt. Pse?
Sepse nuk mund të mbetej e ndarë nga qielli. Devocioni apo përshpirtëria jonë
ndaj Zojës së Bekuar është shumë i përhapur në mbarë botën, edhe ndër shqiptarë, por
mund të ndodhë që të mos përkojë me besimin në Zotin, me fenë e jetuar çdo ditë e
në çdo rrethanë.
Si mund ta jetojmë këtë përshpirtëri e nderim ndaj Virgjërës
Mari me fe të vërtetë në Krishtin? Lidhur me këtë, Koncili II i Vatikanit,
në Kushtetutën baritore ‘Gaudium et Spes’, thekson me ngulm se është e nevojshme të
kapërcehet hendeku ndërmjet besimit e zbatimit apo mishërimit të tij në jetë. Ne kemi
shumë nevojë ta ushqejmë fenë në Krishtin Zot, që devocioni të jetë përherë i vërtetë
e Maria të mbetet gjithnjë Nëna që na çon te Biri, te Jezusi. Maria pra për ne të
krishterët është shkollë feje në Zotin, është shembull e shërbimit bujar ndaj vëllezërve,
është shenjë shprese për të gjithë ata që synojnë ta takojnë Zotin në realitetin e
përditshëm të jetës.
Po çka do të thotë të jetosh fenë në Zotin duke ia
besuar vetveten Zojës ë Bekuar? Maria – na thotë Ungjilli, na e thotë Elizabeta
e ndriçuar nga Shpirti Shenjt- është besimtare, besimtarja e parë e përkryer. Prandaj
Kisha na ftoi gjatë këtij muaji maj të vihemi në shkollën e fesë, të shërbimit e të
dashurisë, të vijojmë udhën në gjurmët e Marisë për të takuar Jezu Krishtin.