2011-05-31 13:20:59

E ardhmja e katolikëve në politikë: parti apo lëvizje?


Katolikët në politikë nuk duhet të ndikohen nga logjika e konfliktit ndërmjet partive, por duhet të punojnë në mënyrë konstruktive. Kështu theksoi sekretari i përgjithshëm i Konferencës Ipeshkvnore Italiane, imzot Mariano Kroçata, në ndërhyrjen e tij në konferencën “Katolikët konfrontohen”, që u zhvillua dje në Dhomën e Deputetëve të Italisë. Roma ka një traditë të gjatë në impenjimin e katolikëve në politikë, por koha e një partie të vetme, e cila mblidhte të gjithë katolikët duket e largët. Gjendja aktuale paraqet një shpërndarje të katolikëve në parti të ndryshme, ku ata kontribuojnë për të kaluar idetë e vlerat e doktrinës shoqërore të Kishës. Të bindur se përvoja italiane, mund t’u shërbejë edhe katolikëve në Shqipëri, impenjimi i të cilëve në politikë është aktualisht i dobët, po ju propozojmë disa pjesë nga fjalimet, që u mbajtën në konferencën e djeshme. Fillimisht, të dëgjojmë vetë imzot Kroçatën:
“Uniteti bëhet mbi bazën e vlerave, por vlerat nuk jetojnë të pavarura, kanë nevojë për një kontekst marrëdhëniesh jetësore, që kanë si pikë referimi Kishën, nga ku janë të afta të ndikojnë në shoqëri, duke kapërcyer edhe kufijtë e përkatësisë së tyre fetare”.
Pikërisht Kisha na mëson se është më i frytshëm dialogu se sa konflikti politik. Imzot Kroçata nënvizoi se nuk duhet interpretuar tensioni që ekziston ndërmjet fesë dhe vendimeve që merr një politikan, duke e lënë fenë në sferën private e duke e detyruar politikanin, edhe pse katolik, të vendosë kundër ndërgjegjes së vet. Në të vërtetë, shpjegoi ai, feja ndikon mbi të gjitha vendimet e jo vetëm mbi disa prej tyre. Mbështeti këtë mendim, senatori i djathtë, Xhuzepe Pizanu:
“Përndryshe, nuk mund të përballohet një nga çështjet themelore, që djeg sot në Itali: çështja morale”.
A është e nevojshme që për të ngritur zërin e katolikëve në politikë, të formohet një parti e katolikëve? Sipas deputetit të majtë, Xhuzepe Fioroni, jo:
“Duhet të dimë të gjejmë atë bashkim rreth vlerave, që 150 vjet më parë i mundësoi Italisë të bëhet një. Sot, duhet të na bëjë të mundur daljen nga kriza ku jemi zhytur”.
Nëse jo parti, çfarë atëherë? Përgjigjet zv.presidenti i Dhomës së Deputetëve, Roko Butiljone:
“Një parti në këtë moment, ndoshta është tepër. Po sikur të flisnim për lëvizje? Një lëvizje, ku të bëjnë pjesë të krishterët e impenjuar në politikë e ata, që akoma nuk janë impenjuar”.
Mbi një gjë janë të gjithë dakord: doktrina shoqërore e Kishës mund të kontribuojë në rilindjen e një vendi.







All the contents on this site are copyrighted ©.