Atë Stefano Fiores shpjegon si lindi devocioni i muajit të Zojës.
Në Vatikan muaji kushtuar Zojës së Bekuar do të përfundojë edhe sivjet me procesionin
tradicional që do të fillojë në orën 20. 00, nga Kisha e Shën Shtjefnit të Abisinëve
prapa Bazilikës së shën Pjetrit, për të përshkuar rrugëve të kopshteve të Vatikanit,
deri tek Shpella e Zojës së Lurdë. Në përfundim Papa do t’u drejtojë fjalën besimtarëve
dhe do t’u japë bekimin e tij apostolik. Por, si lindi devocioni i muajit
të Zojës? Përgjigjen na e jep rregulltari monfortan, Atë Stefano Fiores:
Përgjigje:
- Devocioni i muajit të Zojës, muajit të majit, filloi në vitet 1700, përmes veprimtarisë
së tre jezuitëve, që kryenin misionin e tyre në veri, në qendër e në jug të Italisë.
Më i njohuri është atë Alfons Muxareli. Etërit jezuitë zgjodhën pikërisht muajin më
të bukur të vitit, kur natyra është në kulmin e lulëzimit, që t’i ftonin të gjithë
besimtarët për ta nderuar Nënën e Zotit, lulen më të bukur të njerëzimit.
Pyetje:
- Ç’përfaqëson Maria për gratë e kohëve tona?
Përgjigje: - Gruaja
e ditëve tona frymëzohet nga Maria, por sipas figurës biblike, e jo sipas disa klisheve
tradicionale, që e paraqesin si grua pasive, që pëson pa bëzajtë. Pali VI në ‘Marialis
Cultus”, e kundërshton këtë mënyrë paraqitjeje, duke i ftuar besimtarët të shfletojnë
Ungjillin për ta njohur Marinë, grua aktive, që e kupton mirëfilli përgjegjësinë e
vet, që merr vendime e ‘Madhëron Zotin’, sipas kritereve të dijes hyjnore e jo të
dijes njerëzore.
Pyetje: - Rruzarja Shenjte nuk është praktikë që i përket
së kaluarës, e aq më pak lutje mekanike – na kujton shpesh Papa; ç’vlerë ka sot kjo
lutje mariane?
Përgjigje: - Rruzarja duhet konsideruar si mënyrë
për të vënë në jetë atë që kremtojmë në liturgji e që e shpallim në Shkrimin Shenjt.
Është e qartë se Rruzarja nuk është sakrament, e as kremtim liturgjik i mbarë
Kishës. Megjithatë Rruzarja lidhet ngushtë me liturgjinë: ashtu ai ajo, ushqehet
nga Shkrimi Shenjt e zhvillohet rreth misterit të Krishtit. Madje cikli i mistereve
të Rruzares mund të krahasohet me zhvillimin e vitit liturgjik. Me kohën liturgjike
të Ardhjes e të Krishtlindjes përkojnë misteret e gazmendit, të përqendruara tek Mishërimi.
Me kohën e Mundimeve e të Javës së Madhe, përkojnë misteret e mundimeve të Shëlbuesit
në Kryq. Koha e Pashkëve dhe e Rrëshajëve pasqyrojnë misteret e lumturisë së Krishtit
të ngjallur, që rrezatojnë mbi Kishën. Festat e të Ngjiturit të Zojës në qiell
dhe e Marisë Mbretëreshë e qiellit dhe e tokës, përkojnë me dy misteret e fundit. Ndonëse
në plane të ndryshme, kremtimi liturgjik e kundrimi përmes Rruzares, na çojnë tek
të njëjtat ngjarje të shëlbimit, kryer nga Krishti. Ashtu si liturgjia, Rruzarja ka
në qendër misterin e Krishtit Shëlbues. Me qartësinë e tri serive të mistereve, Rruzarja
nënvizon aspekte themelore, ashtu si në skemën e predikimit të Apostujve: Biri i Hyjit
u bë njeri, u kryqëzua për mëkatet tona, u ngjall për lumturinë tonë.