Papa dikasterit të Ungjillëzimit të ri: “T’i kumtohet Krishti në mënyrë të re njeriut
të sotëm, të shekullarizuar”.
“Shoqëria e shekullarizuar ka nevojë për ungjillëzues të rinj, të aftë për ta kumtuar
Fjalën e Zotit në mënyrë të re, për të prekur zemrën e njeriut të sotëm, shpesh të
çkujdesur e të pandjeshëm”: këtë pohoi Benedikti XVI sot paradite, duke iu drejtuar
pjesëmarrësve të asamblesë së parë plenare të Këshillit Papnor për nxitjen e ungjillëzimit
të ri, që e themeloi tetorin e vitit të kaluar. Shekullarizimi ka
lënë gjurmë të thella edhe në vendet me traditë të krishterë. E nga kjo krizë e jetës
e krishterë - shpjegoi Ati i Shenjtë - buron kërkesa për ungjillëzimin e ri e, sidomos,
për mënyrën e re të kumtimit: “Ungjilli është kumtimi, gjithnjë i ri, i shëlbimit
të kryer nga Krishti, për ta bërë njerëzimin pjesëtar të misterit të Zotit e të jetës
së tij të dashurisë e për t’i hapur një ardhmëri shprese, të besueshme e të fortë.
Të nënvizosh, në këtë çast të historisë, se Kisha është e thirrur të punojë për ungjillëzimin
e ri, do të thotë të thellosh veprimtarinë misionare, për të përkuar plotësisht me
mandatin e Krishtit”. Në atmosferën e ndryshimeve të thella kulturore,
Kisha duhet të tregojë vëmendje të veçantë, e vetëdijshme se e kumton fenë në situata
të ndryshme nga ato të së kaluarës: “Kriza, që provohet, sjell me vete prirjen
për ta përjashtuar Zotin nga jeta e njerëzve, indiferencën e përgjithshme ndaj fesë
së krishterë, deri në përpjekjen për ta përjashtuar nga jeta publike”. Është
shumë më e ndërlikuar sot, sesa në të kaluarën, ta kumtosh Krishtin, të vetmin shëlbues
të botës. Po detyra jonë mbetet e njëjtë, që në agun e historisë së krishterimit.
Misioni nuk ka ndryshuar, e nuk duhet të ndryshojë as entuziazmi e guximi, që vunë
në lëvizje Apostujt e dishepujt e parë. E, për ta bindur njeriun e sotëm, i cili
gjithnjë më shumë është i çkujdesur e i pandjeshëm – shtoi Papa – Kisha ka nevojë
për ungjillëzues të rinj. E për zell të ri, që ta bëjë kumtimin e shëlbimit sa më
të frytshëm:“Edhe ai që vijon të mbetet i lidhur me rrënjët e krishtera, por
jeton marrëdhëniet e vështira me modernitetin, duhet ta kuptojë se të qenët i krishterë
nuk është petk, që vishet vetëm në jetën private ose në raste të posaçme, por është
diçka e gjallë e absolute, e aftë për të përvetësuar gjithçka të mirë nga jeta moderne”.