2011-05-30 15:40:14

Impenjimi i Kishës në luftën kundër Sidës kalon përmes sigurimit të ilaçeve për të gjithë


Fjalët e Papës Benedikti XVI qenë korniza e Kuvendit me titull “Njeriu në qendër, për parandalimin e trajtimin e Sidës”, i cili përfundoi të shtunën në Vatikan. Ati i Shenjtë, në mesazhin e tij, kërkonte “të përkulemi si Samaritani i Mirë para njeriut të plagosur e të braktisur në anë të rrugës”, pasi kjo do të thotë “të zbatojmë atë ‘drejtësi më të madhe’, që Jezusi u kërkon dishpeujve të vet dhe e vë në jetë. Zbatimi i Ligjit është dashuria”. Takimi u organizua nga Fondacioni “Samaritani i Mirë”, pranë Këshillit Papnor për Veprimtarët e Shëndetësisë.
Kreu i dikasterit, mons. Zigmunt Zimovski nënvizoi se duhet ndryshuar mënyra e sjelljes ndaj seksualitetit, duke propozuar një model, që frymëzohet nga vlerat e besnikërisë bashkëshortore e të familjes. Gjithashtu, duhet punuar që të gjithë të sëmurët nga Sida të marrin falas mjekimet e nevojshme. Në botë, të prekurit nga kjo sëmundje, që deri dje ishte krejtësisht vdekjeprurëse, arrijnë në 33 milionë, me 7100 infektime të reja çdo ditë. 10 milion të infektuar nga virusi HIV nuk kanë mundësi të blejnë ilaçet. Rruga e propozuar nga Kisha është ajo e një firme farmaceutike amerikane, e cila në vend që të çojë ilaçe në botën e tretë, ka vendosur të japë falas recetën e prodhimit, në mënyrë që ato të realizohen në vend. Ose ajo e Bashkësisë së Shën Egjidit, e cila, me anë të projektit “Dream” (Ëndrra), ka ngritur një sistem asistence shëndetësore kapilare në rajonet më të varfëra të Afrikës, përmes të cilit ilaçet shpërndahen falas, duke u kujdesuar veçanërisht, që virusi të mos kalojë nga nëna tek fëmija.







All the contents on this site are copyrighted ©.