2011-05-30 15:40:04

Botohen aktet e Konferencës mbi Darvinin në Universitetin Gregorian të Romës


Një hap i rëndësishëm drejt gjetjes së gjuhës së përbashkët ndërmjet shkencës, filozofisë e teologjisë, për të kapërcyer vështirësitë e së kaluarës dhe për të nxitur punën kërkimore në secilin prej këtyre sektorëve. Ky është rezultati i Konferencës “Evolucioni biologjik: fakte e teori. Vështrim kritik 150 vjet pas “Origjinës së Specieve”, zhvilluar në mars të vitit 2009 në Universitetin Papnor Gregorian në Romë. Aktet e atij takimi akademik i pashembullt për Kishën Katolike, u botuan dhe u paraqitën ditët e kaluara pikërisht në Gregoriana.RealAudioMP3
“Kisha nuk e dënoi kurrë Çarls Darvinin, as teorinë e tij të evolucionit. Megjithatë, shumë njerëz janë akoma të bindur se ajo e kundërshton këtë teori shkencore”. Janë fjalët e kardinalit Xhanfranko Ravazi, kryetar i Këshillit Papnor të Kulturës, i cili u kujdes për botimin e vëllimit 700 faqësh, ku përmblidhen të gjitha relacionet e konferencës së 2009-ës. Edhe në hyrjen e tij, profesorët Auleta, Lëklerk e Martìnez vënë në dukje se gjatë konferencës u tregua me fakte se janë qëndrimet ideologjike ato, që krijojnë konflikt ndërmjet shkencës e teologjisë.
Prof. Gjenaro Auleta, pedagog i filozofisë së shkencave në Universitetin Gregorian u ndal mbi motivet për të cilat Kisha duhet të thellojë njohuritë e veta shkencore, që të mos mënjanohet nga kultura bashkëkohore:
“Njohuritë shkencore nuk janë thjesht njohuri të dorës së dytë, që kanë të bëjnë vetëm me çështje empirike pa rëndësi, por janë njohje e së vërtetës në kuptimin e saj më të plotë, prandaj meritojnë të merren shumë seriozisht. Ajo filozofi e teologji, që nuk arrin ta kuptojë këtë, sipas meje, e dënon vetveten me vdekje të shpejtë, sepse filozofia pa shkencë rrezikon të bjerë në estetizimin e relativizmit. Nënvleftësimi i fjalës së shkencës mbi universin tonë do të ishte vërtet gabim i rëndë”.
Çast qendror i paraqitjes së Akteve, qe ndërhyrja e kryetarit të Akademisë Papnore të Shkencave, mikrobiologut gjenetist, çmim Nobel për mjekësinë, Verner Harber, i cili vuri në dukje përparimet e bëra në zbatimin e teorisë evolucioniste në proceset molekulare e në fushën e gjenetikës. Ai theksoi se sot, njeriu ka mundësi të ndikojë pozitivisht mbi proceset evolutive, përmes inxhinjerisë gjenetike, por deri tani e ka bërë këtë thjesht për qëllime ekonomike. Për ta përdorur gjenetikën edhe në përmirësimin e kushteve ambientale, ekonomike e shoqërore të globit, do të duhej një kontroll politiko-shoqëror, që të garantojë respektimin e etikës e sidomos të ndryshueshmërisë së llojeve.







All the contents on this site are copyrighted ©.