2011-05-30 14:38:58

17 vajza të reja bëhen ‘Bijat e Nënë Terezës'


17 vajza të reja iu shtuan këto ditë aradhës së bamirësisë, themeluar nga Nëna jonë Terezë. Vijnë në Kongregatë nga të katër anët e botës, posaçërisht nga Afrika e Amerika. Sapo bënë kushtet e përjetshme, duke fituar titullin e plotë: “Bijat e Nënë Terezës”, pasi e kaluan me sukses kohën e noviciatit, aspak e lehtë, në shtëpitë e Nënës të të varfërve.
Ceremonia e kushteve të përjetshme rregulltare u kremtuan në Kishën e Shëna Ndout, në lagjen romake Tuskulana. Riti i thjeshtë e solemn, arriti kulmin, kur vajzat - tani motrat rregulltare pohuan me zë të lartë vendimin e tyre, po-në për t’ia kushtuar tërë jetën Krishtit, Kishës katolike e njerëzimit, në urdhrin e Misionareve të Bamirësisë. Vunë, kështu, mbi kokë, velin e veshën sarin me vijat blu anësore, tashmë i famshëm në tërë botën, falë përkushtimit të tyre të plotë në gjirin e më të varfërve ndër të varfër.
Motrat e Nënë Terezës nuk njohin krizë thirrjesh rregulltare e, për ato që studiojnë në Romë, dy herë në vit kremtohet riti i kushteve, gjatë të cilit Kisha mbushet gjithnjë plot me vasha të reja, që vijojnë e vijojnë t’i kushtohen Krishtit, si Nënë Tereza, me moton e Motrës shqiptare, shkëputur drejtpërdrejt, nga Ungjilli: “Isha i uritur e më dhatë të ha; i etur, e më dhatë të pi”. Këto vajza të reja vijnë nga të katër erërat. Përfaqësojnë shtresa e kultura të ndryshme. Nganjëherë janë edhe bija familjesh të pasura e kanë deri tituj studimesh të larta. Këto vite, më të shumtat janë afrikane, amerikane e më pak, evropiane. Të gjitha, me moshë ndërmjet 20 e 30 vjetëve, i bashkon thjeshtësia e thellësia e një feje të krishterë tejet të fortë, pa të cilën nuk do të kishte pikë kuptimi jeta tepër e vështirë, që jetojnë ditë për ditë. Këto vajza të reja nuk kanë asgjë tjetër mbas shpirtit, veç sarit e Provanisë hyjnore. Por rrezatojnë aq shumë paqe, aq shumë gëzim, sa tërheqin pas vetes këdo i shikon, edhe ata që dyshojnë shumë në një jetë të tillë kaq të vështirë. Jetë pa kuptim, për turmën, që rend pas parasë, pas kënaqësive të çastit, pas lavdisë së rreme, duke harruar se në rendje e sipër njeriu mund të rrëzohet, të humbasë gjithçka, të braktiset e të ketë nevojë pikërisht për një engjëll, veshur me sari bardh e blu. Në një botë ku ndërmjet qindra formave të varfërisë, braktisja është më e keqja.
Tani bijat e Nënë Terezës janë nisur për në vende të ndryshme të botës, për t’u bërë engjëj të të sëmurëve, të të pastrehëve, të pleqve të harruar, të fëmijëve pa familje, të të gjymtuarve. Të njerëzve të vetmuar e të lënë pas dore! E këtë e bëjnë pa kërkuar asnjë shpërblim, duke kaluar një jetë të heshtur, të mënjanuar, tek këmbët e Kryqit, nën hijen e fesë!







All the contents on this site are copyrighted ©.