2011-05-29 10:28:02

Kisha Katolike shpalli të Lume, motër Maria Serafinën e Zemrës së Krishtit


Dje, Kisha Katolike shpalli të Lume, motër Maria Serafinën e Zemrës së Krishtit (në shekull: Klotilde Mikeli). Riti u mbajt në Faikio të Beneventos, në Itali dhe, u kryesuar nga prefekti i Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve, kardinali Anxhelo Amato.
E Lumja e re lindi në Imer të Trentos, më 11 shtator 1849 e në moshën 18-vjeçare iu duk Zoja e Bekuar, e cila e udhëroi të themelonte një institut për adhurimin e Trinisë Shenjte. Pas shumë vështirësish, më 28 qershor 1891, lindi Instituti i Motrave të Engjëjve në Kazerta. Edhe emrin që mori si murgeshë, motër Maria Serafinës ia kishte sugjeruar Virgjëra e Shenjtë më 1867. Gjatë gjithë jetës, ajo themeloi 15 shtëpi, që i quajti “shtëpi misioni”, për të nënvizuar përkushtimin ndaj Kishës e vëllezërve në fe. Vdiq më 24 mars 1911 në Faikio, pas një jete në shërbim të më të varfërve e më të përvuajturve. Që atëherë e konsideronin shenjte. Motrat e saj janë të pranishme në Itali, në Brazil, në Filipine, në Indonezi e në Benin.







All the contents on this site are copyrighted ©.