Takimi IV i Këshillit të Posaçëm të Sekretarisë së Përgjithshme të Sinodit të Ipeshkvijve
për Lindjen e Mesme.
(27.05.2011 RV)Më 17 e 18 maj, pranë Sekretarisë së Përgjithshme të Sinodit
të Ipeshkvijve, u mbajt Takimi IV i Këshillit të Posaçëm të kësaj Sekretarie, për
Lindjen e Mesme. Punimet, në të cilat morën pjesë të gjithë anëtarët e Këshillit,
i kryesoi sekretari i përgjithshëm, imzot Nikola Eteroviç, i cili mbajti një reflektim
për misterin e Pashkëve, kremtuar pak çaste më përpara në liturgji. Pjesën kryesore
të fjalimit ia kushtoi impenjimit të Benediktit XVI për Lindjen e Mesme dhe vendet
e Afrikës Veriore. Për këta popuj, që po jetojnë orën e tyre të mundimeve, Ati i Shenjtë
i lutet Zotit t’ua ndriçojë mendjen e rrugën, duke bërë edhe thirrje për solidaritet
e dialog, bisedime e ndërmjetësim diplomatik, që të sigurohet, më në fund, paqe e
drejtësi për të gjithë. Në diskutimet e anëtarëve të Këshillit u ndje fort shqetësimi,
por edhe shpresa për një jetë të re, aq të dëshiruar nga popujt e Lindjes së Mesme,
përfshirë edhe të krishterët, duke vënë theksin mbi përgjegjësitë e rënda të politikanëve
vendas e ndërkombëtarë, që duhet t’u sigurojnë të njëjtat të drejta të gjithë nënshtetasve,
pavarësisht nga përkatësia e tyre etnike, fetare e kulturore. Bashkëjetesa ndërmjet
feve është themelore për zhvillimin, për njohjen reciproke, për tolerancën, për promovimin
e marrëdhënieve paqësore e për bashkëpunimin në shërbim të së mirës së përbashkët.
Bëhen gjithnjë më të nevojshme kërkesat e dialogut ekumenik e ndërfetar, sepse
nxisin kërkimin e bashkimit dhe dëshminë e dishepujve të Zotit, që ta jetojnë fenë
me dashuri të krishterë e me shpresë për kohë më të mira, të cilat duhen ndërtuar
me durim, ngulm e dashuri. Vëmendje e dorës së parë iu kushtua hartimit të përmbledhjes
së dokumenteve sinodale e, sidomos, të Propozimeve, që të mund të krijohet një kuadër
sa më i plotë i punimeve të Sinodit, lidhur me Nxitjen Apostolike pas Sinodale, të
cilën, ashtu si në Asambletë e tjera të posaçme, Ati i Shenjtë do ta botojë në kohën
e duhur. Punimet përfunduan me lutjen drejtuar Mbretëreshës Qiellore, pasditen
e 18 majit, pasi u caktua 7 korriku si datë për takimin e ardhshëm.