2011-05-27 19:01:59

Papa: muzika e Listit është himn besimi në Zotin. Mesha e tij është më shumë lutje se kompozim, apo, më parë lutje e pastaj e kompozim


Në përfundim të koncertit mbajtur në Vatikan nga Orkestra Filarmonike Kombëtare Hungareze, Grupi Koral Kombëtar dhe tenori István Horvath, që interpretuan tre kompozime të famshme të Listit e të Zoltan Kocsis, që Hungaria deshi ti ofronte në shenjë nderimi Papës e mirënjohjeje ndaj Selisë së Shenjtë, Ati i Shenjtë Benedikti XVI falënderoi për këtë dhuratë të bukur e
kujtoi fjalët e vetë Listit, i cili, kur kompozoi Meshën Solemne, pati shkruar: “Mendoj se muzika e kësaj Meshe është më shumë lutje, se kompozim, ose më mirë, e luta më parë, e pastaj e kompozova”.
Në përfundim, Ati i Shenjtë falënderoi Presidentin hungarez dhe grupin që e shoqëronte, për koncertin dhe për fjalët e mira, që i drejtoi në fillim të shfaqjes. Listi - kujtoi Papa - është një nga pianistët më të mëdhenj të të gjitha kohëve, kompozitor gjenial, e jo vetëm i muzikës për pianoforte, por edhe i muzikës kishtare e simfonike, siç e dëgjuam edhe në këtë koncert. Në pjesët, që ndoqëm, ndjehet fort shpirti listian, përmes zërit të seksioneve të ndryshme, që formojnë shoqërimin orkestral. Të gjitha instrumentet së bashku formuan një harmoni të vetme muzikore. E ndjemë fort këtë harmoni, që buron nga takimi me bukurinë e që të ngjall një gamë të vërtetë ndjenjash: nga gëzimi festiv i marsheve, tek meditimi i pjesës së dytë e deri tek atmosfera muzikore e lutjes, për të cilën na ftuan tingujt e Ave Marisë.
Më pas, Papa kujtoi edhe Psalmin XIII, krijuar kur Franc List jetonte në Romë; periudhë në të cilën kompozitori gjenial e jetoi fenë me gjithë forcën e shpirtit, aq sa të krijonte disa nga kryeveprat e muzikës kishtare. Është Psalm i kënduar nga një njeri, që jeton çaste të vështira, i rrethuar nga armiku, i harruar nga të gjithë, në sa Zoti duket tejet larg. E lutja kthehet në ankth, në ndjesi braktisjeje. Prej këndej shpërthen britma, edhe muzikore, “E deri kur, o Zot?”, që përsëritet katër herë nga tenori e nga kori. Është britma e njeriut dhe e njerëzimit, që e ndjen fort peshën e së keqes mbi botë. Këtë ndjesi të barrës së rëndë të së keqes e të ankthit na e përcjell mrekullisht muzika e Listit - kujtoi Papa e shtoi: por këtu muzika shndërrohet; tenori e orkestra i lartojnë një himn besimi Zotit, që nuk tradhton kurrë, nuk braktis kurrë, nuk të lë kurrë vetëm. Në përfundim Benedikti XVI kujtoi fjalët e vetë Listit, i cili, kur kompozoi Meshën Solemne, pati shkruar: “Mendoj se muzika e kësaj Meshe është më shumë lutje, se kompozim, ose më mirë, e luta më parë, e pastaj e kompozova”.







All the contents on this site are copyrighted ©.