Papa Karitasit Ndërkombëtar: dashuria e krishterë nuk është thjesht filantropi, as
ideologji, por dhurim i plotë i vetvetes, sipas shembullit të Krishtit.
Të jeni dëshmitarë të dashurisë së Zotit, duke e shtrënguar fort lidhjen me Mësimet
e Kishës: kjo është porosia që Ati i Shenjtë u dha sot paradite, pjesëmarrësve në
Asamblenë e Përgjithshme të Karitasit Ndërkombëtar, duke i pritur në audiencë, në
Vatikan, me rastin e 60-vjetorit të themelimit. Papa i nxiti besimtarët laikë t’i
mbrojnë vlerat e padiskutueshme me ndërgjegje të pastër e me zemër bujare. Në
fillim të takimit, Benediktin XVI e përshëndeti, në emër të pjesëmarrësve, kardinali
Oskar Rodríguez Maradiaga, i rizgjedhur kryetar i Karitasit Ndërkombëtar.
“Dëshmimi
i dashurisë së Zotit dhe lidhja e ngushtë me Kishën”: ky - theksoi Papa - është tipari
themelor dhe forca e Karitasit Ndërkombëtar. E më pas, vuri theksin mbi ndihmesën
që jep organizmi për një vizion të drejtë antropologjik, të ushqyer nga doktrina katolike
e të impenjuar për të mbrojtur dinjitetin e çdo jete njerëzore. Pa një bazë të
fortë transhendente, pa lidhje me Zotin krijues, vërejti Papa, rrezikohemi të biem
pre e ideologjive të dëmshme. E më pas ripohoi se Karitasi Ndërkombëtar duhet ta luajë
rolin e vet, si forcë që thellon bashkimin ndërmjet Kishës universale e Kishave të
veçanta, ashtu si dhe unitetin e të gjithë besimtarëve në ushtrimin e dashurisë së
krishterë. Njëkohësisht - vijoi Ati i Shenjtë - është i thirrur të japë ndihmesën
e vet për ta bërë të pranishëm mesazhin e Kishës në jetën politike e shoqërore, në
plan ndërkombëtar. Në sferën politike - pohoi Benedikti XVI - besimtarët, e posaçërisht
laikët, gëzojnë liri të madhe veprimi: “No one can claim to speak ‘officially’…” Por
askush – sqaroi Ati i Shenjtë - nuk mund të pretendojë të flasë zyrtarisht në emër
të mbarë laikatit e të të gjithë katolikëve, mbi çështje të hapura për diskutim të
lirë. Nga ana tjetër - vërejti Papa - çdo katolik, madje çdo njeri, është i thirrur
të veprojë me ndërgjegje të pastër e me zemër bujare për të mbrojtur me vendosmëri
ato vlera, të cilat shpesh i kam quajtur “të padiskutueshme”, që nuk mund të shiten,
e as të blihen. Ja pra, pse Karitasi Ndërkombëtar është i thirrur të punojë për edukimin
e njerëzve të aftë për t’ua hapur zemrën të gjithëve, në mënyrë që secili, duke respektuar
plotësisht lirinë e vet e duke kryer ndershmërisht detyrat e veta personale, të kontribuojë
kudo e kurdoherë për të mirën e përbashkët e, posaçërisht, për të mirën e njerëzve
më nevojtarë. Pastaj Papa foli gjatë për tiparet dalluese të Karitasit Ndërkombëtar: “Being
in the heart of the Church, being able…” Të jesh në zemër të Kishës; të
jesh në gjendje, në një farë mënyre, të flasësh e të veprosh në emër të saj - theksoi
Papa - do të thotë të marrësh mbi vete një përgjegjësi të rëndësishme në këndvështrimin
e jetës së krishterë, si personale, ashtu edhe komunitare. E shtoi: vetëm mbi bazën
e impenjimit për ta pranuar e për ta jetuar plotësisht dashurinë e Zotit, mund të
mbrohet dinjiteti i çdo njeriu: “In my first Encyclical, Deus Caritas est…” Në
Enciklikën time të parë “Deus Caritas est”- vijoi Benedikti XVI - desha të pohoj se
dëshmia e dashurisë së krishterë është zemra e Kishës së kohëve tona. Përmes kësaj
dëshmie, Kisha arrin tek miliona burra e gra dhe u krijon mundësinë ta njohin e ta
prekin me dorë dashurinë e Zotit, që është gjithnjë pranë njeriut nevojtar. Për ne
të krishterët - shtoi akoma Benedikti XVI - Zoti vetë është burim bamirësie, e bamirësia
nuk kuptohet vetëm si filantropi e papërcaktuar, por si dhurim i vetvetes, deri në
flijimin e jetës, po të jetë nevoja, për të ndihmuar të tjerët, duke ecur kështu në
gjurmët e vetë Jezu Krishtit: “Caritas Internationalis differs from other
social agencies…”Karitasi Ndërkombëtar – shpjegoi më pas Papa - ndryshon nga
agjencitë e tjera shoqërore, sepse është organizëm kishtar, që bën pjesë në misionin
e Kishës. Këtë - tha Benedikti XVI - e deshën gjithnjë papët, e këtë duhet ta pohojë
me forcë edhe asambleja juaj. Duke kujtuar se Karitasi Ndërkombëtar përfshin Karitaset
e ndryshme kombëtare, që i ndihmojnë ipeshkvijtë në ushtrimin e veprimtarisë bamirëse,
Papa vuri theksin mbi përgjegjësinë e veçantë kishtare të ipeshkvijve e të Kishës,
që duhet t’i prijnë çdo veprimtarie bamirëse. Selia e Shenjtë - vijoi Papa - e ka
për detyrë ta ndjekë nga afër punën e Karitasit e edhe ta kontrollojë, që si veprimtaria
e tij humanitare, ashtu edhe ajo e dashurisë së krishterë, siç theksojnë edhe dokumentet
përkatëse, të jenë në përkim të plotë me Selinë Apostolike e me mësimet e Kishës dhe
të mbarështohen në mënyrë transparente. Pikërisht ky tipar dallues - përfundoi Benedikti
XVI - është forca e Karitasit Ndërkombëtar e, njëkohësisht, edhe burimi, që i siguron
veprimtarisë së tij fryte të begata.