2011-05-27 19:27:05

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 6-të të Pashkëve ‘A’


Ja përsëri në takimin tonë javor të së shtunës me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj radhe do të dëgjojmë e meditojmë së bashku leximet biblike të liturgjisë së Fjalës Hyjnore të dielës së 6-të të kohës së Pashkëve, ciklit të parë sipas kalendarit liturgjik të Kishës..
Jemi duke ju afruar festës së Rrëshajëve, festës së Shpirtit Shenjt, dhe liturgjia e Fjalës Hyjnore e dielës së 6-të e kohës së Pashkëve na fton të reflektojmë mbi dhuratën e Shpirtit Shenjt Zot. Ai është “Shpirti i së vërtetës” (Gjn 14,17). Ai që, duke mbet, pra qëndruar me ne e në ne për gjithmonë, do të na mundësojë të zbatojmë e të mishërojmë në jetën e përditshme thirrjen e Pjetrit: “adhurojeni Zotin, Krishtin, në zemra tuaja, përherë të gatshëm ti përgjigjeni kujtdo që të ju pyes mbi arsyen e shpresës që është në ju” (1Pt 3,15). Sot më shumë se kurrë, në një kulturë të relativizmit në çdo fushë, si teorike e po kështu edhe praktike, jemi të ftuar ta dëshmojmë të Vërtetën e të rrëfejmë arsyen e fesë sonë të krishterë.
Në leximin e parë nga Veprat e Apostujve (Vp 8,5-8.14-17) Pjetri e Gjoni bëjnë një vizitë në Samari e ky udhëtim i tyre konfigurohet se një etapë e udhës drejt bashkimit dhe ekumenizmit. Imponimi apo vënia e duarve të apostujve mbi të krishterët samaritanas zbulon një mënyrë për të konfirmuar e vërtetuar punën e bërë nga themeluesi i kësaj bashkësie të krishterësh që është Filipi.
Në leximin e dytë nga Letra e Parë e shën Pjetrit (1Pt 3,15-18) armët e të krishterit para padrejtësive, mashtrimeve, përndjekjeve, nuk është asgjë tjetër përveç se butësia, respekti i pakushtëzuar për të tjerët, dëshmia e dashurisë dhe faljes së Zotit. Vetëm duke pranuar vdekjen, Kisha mund ti sjell dritën botës, sepse nuk është institucioni ai që duhet të triumfoi, por feja.
Në pjesën e Ungjilli nga Gjoni (Gjn 14,15-21) Siguria e dhuratës së Shpirtit Shenjtë e gjallëron fenë tonë e na mbështet në shpresë. Ngushëlluesi i premtuar është prani hyjnore, që përforcon dashurinë e amshuar që Ati e Biri Hyjnor kanë për çdo njeri.
Pra, mesazhi i leximeve biblike të kësaj së diele mund të pohojmë se është Shpirti i së vërtetës dhe arsyeja e shpresës. Duke ju afruar festës së Rrëshajëve, liturgjia e dielës së 6-të të Pashkëve na fton të reflektojmë mbi dhuratën e Shpirtit të Zotit. Ai është “Shpirti i së vërtetës” (Gjn 14,17). Shpirti i Krishtit të Gjallë krijon bashkimin mes të gjithë nesh të mbledhur në asamblenë liturgjike rreth tryezës eukaristike: Ai na dhuron Fjalën në mënyrë që të bëhet realitet i jetës e të mishërohet dhe të pasqyrohet në veprat tona të përditshme të frymëzuara nga Ungjilli.
Liturgjia e FjalësLeximi i parë (Vap 8, 5-8. 14-17)

Pjesa biblike tregon zgjerimin misionar të Kishës. Banorëve të Samarisë diakoni Filip u shpall Ungjillin që vjen pastaj i përforcuar nga apostujt Pjetri e Gjoni që shtrijnë duart mbi ta dhe u dhurojnë Shpirtin Shenjt.
Lexim prej Veprave të Apostujve

Në ato ditë, Filipi zbriti në qytet të Samarisë dhe filloi të predikojë Mesinë. Turmat ua vinin veshin me kujdes mësimeve të Filipit, sepse i dëgjonin dhe i shikonin shenjat e mrekullueshme që bënte. E njëmend, prej shumë të djallosurish dilnin shpirtrat e ndytë duke bërtitur me zë të lartë, shëroheshin shumë të paralizuar e të çalë. Dhe u bë gëzim i madh në atë qytet.
Kur apostujt dëgjuan në Jerusalem se Samaria e kishte pranuar Fjalën e Hyjit i dërguan atje Pjetrin e Gjonin. Këta zbritën atje, u lutën për ta që ta merrnin Shpirtin Shenjt, sepse ende nuk kishte zbritur mbi asnjërin ndër ta; ata vetëm ishin pagëzuar në Emër të Jezusit Zot. Atëherë vunë duart mbi ta dhe ata morën Shpirtin Shenjt.
Fjala e Zotit
Psalmi 66 (65)
Ref:
Veprat e Zotit janë të mëdha.
_____________________________

Mbarë toka le t’i brohorasë Hyjit,
këndoni lavdisë së Emrit të tij,
lartësojeni lavdinë e tij të pamasë!
Thuani Hyjit: “Sa të mrekullueshme janë veprat e tua!
_____________________________

Le të të adhurojë mbarë toka e le të të këndojë,
le t’ia thotë këngës për nder të Emrit tënd”!
Ejani e shikoni veprat e Hyjit:
bëri mrekulli shtanguese mes bijve të njerëzve!
________________________________

Ai e shndërroi detin në terik,
këmbë e kaluan lumin
për këtë galdojmë me gëzim.
Ai sundon për amshim me pushtetin e vet,
_____________

Ejani, dëgjoni, të gjithë ju që e druani Hyjin,
do t’ju tregoj çfarë i bëri shpirtit tim.
Qoftë bekuar Hyji
që s’ma hodhi poshtë lutjen time
e nuk ma mohoi mëshirën e vet!
_____________

Leximi i dytë (1 Pjt 3, 15-18)

Të krishterëve që janë bërë objekt i shpifjeve dhe persekutimeve Pjetri u shkruan fjalë që u japin guxim, duke deklaruar që dëshmia e tyre nuk do të jetë e kotë. Të pyetur mbi besimin e tyre do të duhet të përgjigjen me qetësi dhe qartësi, duke demostruar me fakte që janë dishepuj të Krishtit.

Lexim prej Letrës së parë të shën Pjetrit apostull

Fort të dashur, adhuroni me shenjtëri në zemrat tuaja Krishtin Zot! Jini gjithmonë të gatshëm t’i jepni përgjigje gjithsecilit që prej jush kërkon arsyen e shpresës që është në ju, por me butësi dhe me nderimin e duhur, me ndërgjegje të mirë, në mënyrë që ata, që flasin keq për jetën tuaj në Krishtin, pikërisht në atë pikë, në të cilën juve ju shpifen, të mbesin të turpëruar. Përnjëmend është më mirë të hiqni keq - nëse është vullneti i Hyjit - duke bërë mirë se duke bërë keq.
E njëmend edhe Krishti një herë vdiq për mëkate (tona), i Drejti për të padrejtët që t’iu shpinte te Hyji - njëmend i vrarë në trup, por i ngjallur me anë të Shpirtit.
Fjala e Zotit

ALELUJA,Aleluja.
Nëse ndokush më do, ai do të ma mbajë fjalën, thotë Zoti.
Ati im do ta duajë e tek ai do të banojmë.Aleluja.

V Ungjilli (Gjn 14, 15-21)
Jezusi në këtë Ungjill u premton atyre që e duan Shpirtin e së vërtetës, sepse Ai do të jetë për ata Zbuluesi. Jezusi i lavdishëm do të kthehet tek ata pas ringjalljes së tij për t’i siguruar për praninë e Shpirtit Shenjt. Krishti do të vijë për të banuar në ta së bashku me Atin për të jetuar gjithmonë me ta.

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Gjonit
Në atë kohë, Rezusi u tha nxënësve të vet: “Nëse më doni, do t’i mbani urdhërimet e mia. Edhe unë do t’i lutem Atit dhe Ai do t’ju japë një Mbrojtës tjetër, që të jetë me ju përgjithmonë: Shpirtin e së Vërtetës, që bota s’mund ta marrë, sepse nuk e sheh as nuk e njeh. Ju e njihni sepse Ai banon me ju e është në ju. Nuk do t’ju lë jetimë; do të vij tek ju.
Edhe pak kohë e bota nuk do të më shohë më, ndërsa ju do të më shihni, sepse unë jetoj edhe ju do të jetoni. Atë ditë do ta kuptoni se unë jam në Atin tim, ju në mua e unë në ju. Kush i ka urdhërimet e mia dhe i mban, ai më do; dhe atë që më do mua, do ta dojë edhe Ati im, edhe unë do ta dua dhe do t’i dëftohem.”
Fjala e Zotit
Këtu mund të dëgjoni më tepër mbi Liturgjinë e Fjalës së Zotit të kësaj së diele..RealAudioMP3
Homelia e dielës VI të kohës së Pashkëve
Të dashur vëllezër e motra! Dalëngadalë rrugëtimi ynë shpirtëror merr kahje dhe shkon gjithnjë e më shumë drejt Rrëshajëve. Në fakt në leximin e Ungjillit të kësaj të diele, në fjalimin e tij të lamtumirës, Jezusi lë hapur perden e një horizonti që na nxjerr në pah Shpirtin e Shenjtë Ngushëllues. Bashkësia e parë e krishterë ka jetuar çastet e pritjes së Shpirtit të Shenjtë për të konfirmuar misionin e saj ungjillëzues. Në fakt Shpirti i Shenjtë është forca me të cilën dishepujt dhe gjithë Kisha në të gjitha kohërat, shpall Mbretërinë e Hyjit.
Të shohim më nga afër leximet kësaj të diele. Në leximin e parë nga veprat e Apostujve shohim se si dishepujt përhapin Fjalën jashtë kufijve të Jerusalemit. Pas vrasjes së Shtjefnit dishepujt shpërndahen, por apostujt mbeten në Jerusalem. Fjala, përveçse në Jerusalem, përhapet në Jude në Samari e deri në kufijtë e tokës. Veprimtaria misionare e dishepujve është frutdhënëse. Diakoni Filip shkon në Samari të përhapë fjalën e të pagëzojë e më pas apostujt dërgojnë Pjetrin e Gjonin për t’u dhënë atyre Shpirtin e Shenjtë. Ne e dimë nga Ungjilli i Gjonit se samaritanët qysh më Jezusin i ishin hapur risisë që ai kishte ardhur të sjellë. Tashmë ata marrin edhe Shpirtin e Shenjtë përmes shtrirjes së duarve të Apostujve. Në këtë mënyrë krijohet një lidhje e fortë nëpërmjet apostujve që ndërton unitetin e Kishës.
Leximi i dytë nga Letra e Parë e Pjetrit Apostull na vendos në një situatë përndjekjeje, e cila për autorin e letrës është e nevojshme në mënyrë që të plotësohet vullneti i Hyjit. Pasi i porosit të krishterët të adhurojnë Zotin në zemrat e tyre, u kujton atyre se janë të thirrur t’u japin arsye kujtdo që ua kërkon për besimin që ata kanë. Mënyra e dhënies së kësaj arsye duhet të jetë me ëmbëlsi dhe respekt, me një ndërgjegje të drejtë. E gjithë jeta e apostujve e në mënyrë të veçantë ajo e Palit dhe e Pjetrit ka qenë një dëshmi shumë e bukur e marrëdhënies autentike me ata që e mendonin ndryshe në fushën e besimit. Është kjo një pikë delikate e jetës së Kishës por edhe e jetës shpirtërore të çdo të krishteri. Jo rrallëherë ndeshemi me njerëz që duan të dinë arsyet e besimit tonë, nganjëherë ata janë miqësorë e nganjëherë nuk janë miqësorë. Shpeshherë të japësh arsye për besimin tënd duket sikur është një punë e atyre që studiojnë dmth punë profesorësh ose priftërinjsh. E vërteta e këtyre fjalëve të Pjetrit është paksa më ndryshe. Mënyra e parë dhe më e besueshme për të dhënë arsye për besimin që ne kemi është dëshmia e jetës. Nuk duhen përgatitjet intelektuale dhe teologjike pa një dëshmi autentike jete sikurse thotë Pjetri “ëmbëlsi, nderim dhe ndërgjegje të drejtë”, madje mund të jetë edhe një kundër dëshmi. Edhe një herë shenjtërit janë një ikonë e gjallë e arsyes që duhet dhënë për besimin. Shumë kanë ardhur në besimin e krishterë nga dëshmia e bashkësisë së krishterë apostolike. Por kjo ka ndodhur dhe ndodh në të gjithë epokat. Nganjëherë kam dëgjuar tregime burgu të meshtarëve shqiptarë. Dëshmia e tyre në burgje ka qenë një arsye e fortë besimi për shumë njerëz.
Pa e forcuar shumë tekstin do të doja të thoja edhe diçka tjetër në lidhje me një shprehje të Pjetrit në këtë lexim. “Është më mirë – thotë Shën Pjetri – nëse Zoti do kështu, të vuash duke bërë të mirën se sa duke bërë të keqen”. Duket sikur e keqja shpeshherë është rruga më e shkurtër për të dalë nga shumë situata. Në fakt është vetëm një iluzion pasi e keqja infekton me praninë e saj e nuk mund ta përdorim atë për të bërë mirë. Mjetet nuk e justifikojnë qëllimin. Por ka ende më shumë. Ia vlen të vuash në emër të së mirës kudo të shohësh gjurmët e saj e të shmangësh çdolloj kompromisi me të keqen. Kohët e vuajtjes për të mirën nuk janë të caktuara, por e mira triumfon herët a vonë. Për ne të krishterët e mira ka një emër, e Mira absolute është Zoti. Ia vlen të vuash për të qenë gjithnjë besnik dhe pranë të Mirës Absolute.
Leximi i Ungjillit sikurse e thamë edhe në fillim të këtij komenti është një pjesë nga Fjalimet e Lamtumirës së Jezusit me Dishepujt tij. Jezusi ndihmon dishepujt që të kuptojnë domethënien dhe vlerën e ikjes së tj te Ati dhe i ngushëllon për dhembjen që kjo shkëputje shkakton në ta. Jezusi kryen një shtegtim dhe këtë shtegtim ua kërkon edhe dishepujve të tij. “Nëse më doni, do t’i zbatoni urdhërimet e mia”. Jezusi flet për dashuri ndaj tij. Në fakt dashuria sikurse na e ka zbuluar dhe na e ka treguar vetë Jezusi me jetën e tij është një shtegtim. Në radhë të parë është një shtegtim i brendshëm, pasi të duash do të thotë të dalësh nga vetvetja dhe t’i jepesh një tjetri. Dashuria absolute vetëm për veten quhet egoizëm dhe çon njeriun drejt mbylljes, drejt përkuljes në vetvete e krijimit të një rrethi vicioz. Kurse dashuria kërkon patjetër dalje nga vetvetja drejt tjetrit, njeriut dhe Tjetrit absolut Zotit. Ky shtegtim është edhe i jashtëm pasi kërkon kohë, madje gjithë jetën. Të duash Jezusin nuk është vetëm një ndjenjë që ka të bëjë më shumë me ndjesinë se sa me thellësinë e njeriut. Ndjenja mund të jetë edhe e thellë por mbetet gjithnjë ndjenjë një ditë mund të shuhet. Shuarja e ndjenjës nuk do të thotë që ka mbaruar dashuria. Sa herë na ndodh të themi: “Dikur e doja Zotin shumë, lutesha shumë, e ndjeja thellë. Tani më ndodh që mezi i them lutjet në mëngjes apo në darkë, nganjëherë nuk i them fare, apo kur lutem nuk kam më atë entuziazëm që kisha në fillim. Edhe mesha e të dielës më peshon e shkoj sa për të shkuar. Sa do të doja të kthehesha në atë gjendje që isha dikur”. Kjo është një simptomë e qartë që dashuria për Zotin nuk është vetëm ndjenjësore, por para së gjithash është shpirtërore. Edhe kur mendojmë se ftohet entuziazmi, besimi vazhdon dhe dashuria ndaj Zotit vazhdon në një formë tjetër që do të thotë të bësh dhe të jetosh gjerat e përditshme me dashuri dhe këmbëngulje pa u dorëzuar asnjëherë. Zoti na jep gjithnjë hirin e nevojshëm për ta dashur dhe për ta adhuruar. Po kështu edhe në jetën martesore, në jetën familjare në përgjithësi. Të mos ndjesh diçka nuk do të thotë se nuk e don më atë person. Madje në atë moment dashuria ka rastin të bëhet më e thellë dhe autentike, pasi e dua tjetrin për veten e tij, jo sepse më jep kënaqësi mua. E dua sepse është ai/ajo dhe sepse i kam premtuar besnikëri para Zotit e jo sepse ai apo ajo nxit kënaqësinë time ndjesore, materiale apo fizike.
Kështu të dashur vëllezër e motra, dashuria për Jezusin nuk është një ndjenjë, por një jetë besnike ndaj fjalës së tij, kështu sikurse nuk është një ndjenjë dashuria e Jezusit për njerëzit, dashuria është një person, është Shpirti i Shenjtë që bashkon Birin me Atin në përjetësi dhe që derdhet në zemrat e besimtarëve.
Në ungjillin e Gjonit Shpirti i Shenjtë thërritet me emrin “Ngushëllues” që do të thotë edhe mbrojtës, apo dëshmitar në favor të dikujt. Jezusi është ngushëlluesi i parë që na ka dërguar Ati. Pas ikjes së tij te Ati ai do të ndërhyjë pranë Atit i cili do të na dërgojë një Ngushëllues tjetër që do të qëndrojë gjithmonë me ne. Praninë e këtij Shpirti bota nuk e percepton pasi nuk mund të kapet nga ndjesitë por njihet nga ata që janë të kujdesshëm ndaj zërit të Zotit. Kjo në jetën personale sikurse edhe në jetën e Kishës. Janë një sërë ngjarjesh dhe personash që na tregojnë për Shpirtin e Shenjtë të pranishëm në jetën tonë. Së pari ai është gjithmonë i pranishëm në jetën e Kishës dhe e udhëheq atë çdo ditë. Ai është i pranishëm në zemrat e besimtarëve dhe lutet në ta dhe për ta.
Të dashur vëllezër e motra të përgatisim zemrat tona në këto javë pritjeje të Rrëshajëve, që Shpirti i Shenjtë të hyjë e të banojë në zemrat tona, në familjet tona, në famullitë e në dioqezat tona e kështu të jemi një bashkësi që e don Zotin dhe të afërmin. Kemi nevojë për praninë e Shpirtit të Shenjtë. Ta thërrasim praninë e tij në Kishën shqiptare që të jetë pranë ipeshkvijve tanë, pranë meshtarëve dhe të gjithë atyre që janë të angazhuar në veprën ungjillëzuese. Eja o Shpirt i Shenjt dhe ndriçojë zemrat tona. Amen.







All the contents on this site are copyrighted ©.