2011-05-27 17:09:54

Koncert në Vatikan ofruar Papës nga Presidenti hungarez, Shmit


Sonte, duke nisur nga ora 18.00, në Sallën e Palit VI, në Vatikan, mbahet koncerti, ofruar Benediktit XVI nga presidenti i Republikës së Hungarisë, Pál Shmit, me rastin e presidencës hungareze në Këshillin e Bashkimit Evropian dhe të 200-vjetorit të lindjes së kompozitorit dhe pianistit gjenial, Franc List. Orkestra Filarmonike Kombëtare Hungareze, Grupi Koral Kombëtar dhe tenori István Horvath, interpretuan tre kompozime të famshme të Listit e të Zoltan Kocsis (Zoltan Koçish) : marshin festiv për ditëlindjen e Gëtes; Luginën e Obermanit dhe Ave Maria (që njihet edhe me titullin “Këmbanat e Romës”), si dhe Psalmin 13 të Listit. Koncertin e drejtoi Mjeshtri Zoltan Kocsis. Lidhur me këtë ngjarje të këndshme kulturore në Vatikan, për nder të Papës pianist, flet kardinali Péter Erdë, kryeipeshkëv i Estergom-Budapestit e kryetar i Këshillit të Konferencave Ipeshkvnore të Evropës:

Përgjigje: - Në Hungari është ende i freskët kujtimi i hyrjes së popullit hungarez në bashkësinë e popujve të krishterë të Evropës: e me të drejtë, mbasi njëmijë vjet më parë, ishte i pari mbret i krishterë, Shën Shtjefni, ai që organizoi hjerarkinë dhe misionin ndër hungarezë e u kurorëzua nga vetë Papa Silvestri II. Prej këndej, roli i Selisë Apostolike për rikthimin tonë në gjirin e Evropës, ishte, që në zanafillë, themelor. Të gjithë janë të bindur për këtë e prandaj deshëm t’i shprehnim, me mirënjohje, afërsinë tonë Selisë së Shenjtë dhe pasardhësit të Shën Pjetrit. Ndonëse Evropa e sotme është mjaft e shekullarizuar, këto ide e këto bindje, të përbashkëta për shumë evropianë, falë fesë së krishterë, që i lidh fort, janë forcë e madhe, e cila na ndihmon të kapërcejmë një mori problemesh të jetës së përditshme. Prandaj, sipas meje, ky gjest i qeverisë hungareze, është edhe inkurajim e simbol shprese për ardhmërinë.







All the contents on this site are copyrighted ©.