2011-05-27 14:02:32

Hilari Klinton në Pakistan kërkon nga qeveria të distancohet nga al Kajda


Al Kajda “akoma është kërcënim” edhe pas vrasjes së Osama bin Laden e do të jetë i nevojshëm “shumëfishimi i përpjekjeve për ta shuar ekstremizmin e terrorizmin” që buron prej tij, angazhim ky që për Sekretaren amerikane të shtetit, Hilari Klinton sot në Islamabad, duket të jetë angazhim parësor në nivelin rajonal e atë ndërkombëtar.
Për Pakistanin, pohoi Hilari Klinton sot në mbarim të udhëtimit të shkurt në Islamabad, “ka ardhur koha për të bërë zgjedhje të vështira e për të bërë më shumë” në luftimin e lëvizjeve terroriste të pranishme në territorin e vet, si dhe për të larguar dyshimet e marrëdhënieve të mundshme me krerët e al Kajdës.
H. Klinton siguroi liderët e Pakistanit për mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara në luftën kundër terrorizmit.
Qëllimi i vizitës së H- Klinton ishte edhe përmirësimi i marrëdhënieve të tensionuara mes SHBA-së e Pakistanit, pas vrasjes së liderit të al-Kaidës, Osama bin Laden, në Pakistan nga forcat amerikane. Hilari Klinton siguroi presidentin pakistanez, Asi Ali Zardari dhe zyrtarët e tjerë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të vendosura për të punuar me Pakistanin e për ta mbështetur atë në luftën kundër terrorizmit dhe të rivendosjes së demokracisë.
Klinton në këtë vizitë shoqërohet nga shefi i Shtatmadhorisë së ushtrisë amerikane, admirali Majk Malen. Hilari Klinton e Majk Malen, theksuan se Pakistani duhet të tregojë më përkushtim e angazhim për interesat e sigurisë së SHBA-ve, e veçanërisht për çrrënjosjen e strehimeve të militantëve islamikë e të terroristëve, të cilët i sulmojnë forcat amerikane në Afganistan e kërcënojnë paqen në rajon e në botë.







All the contents on this site are copyrighted ©.