2011-05-26 13:40:27

Çelësi i fjalëve të Kishës: 'politika' sipas kuptimit të krishterë !


Ngjarjet e fundit në politikën shqiptare na bëjnë të hulumtojmë sot pikërisht këtë fjalë. Do ta flasim pra, për “politikën” sipas kuptimit që i japin asaj të krishterët.
Bibla ka natyrë historike e pikërisht për këtë arsye, politika ka një funksion të rëndësishëm në të. Fjala e Zotit nuk është aspak seri tezash abstrakte, por një e vërtetë, që zbulohet pak nga pak përmes ngjarjeve njerëzore. Veprimi hyjnor shfaqet në të njëjtat ndodhi, që përbëjnë edhe historinë e popujve të botës. Kështu, në Shkrimin e Shenjtë, lexojmë për gjykatës e mbretër, për princa e kryetarë. Për shembull, Isaia profet na sinjalizon madje edhe një ndryshim institucional në detyrën e “mazhordomit mbretëror”, një lloj kryeministri, në pjesën ku flet për dorëzimin e detyrës nga Sebna arrogant në Eliakimin e drejtë (22,15-25).
Dy janë përmasat kryesore të politikës, që ngrihen lart nga Shkrimi i Shenjtë. Së pari, liria: emblematike për këtë është epopeja e madhe e daljes së hebrenjve nga skllavëria egjiptiane, kremtuar çdo vit gjatë Pashkëve dhe konsideruar si një nga themelet e fesë. Zoti biblik është çlirimtar, i mbron të shtypurit dhe viktimat dhe u dhuron atyre mundësinë e shpërblimit e horizontin e një toke, ku të gëzojnë lirinë e pavarësinë. Përmasa tjetër është ajo e drejtësisë, përshkruar sidomos nga profecitë.
Duhet lexuar Libri i Amosit, që regjistron të gjitha të pabërat e pushtetit politik e ekonomik të qytetit të Samarisë, duke mbrojtur të varfërit e duke denoncuar strukturat e shtetit verior të Izraelit, që e kishte Samarinë kryeqytet. Gjithsesi, të gjithë profetët paralajmërojnë se feja e ndarë nga impenjimi shoqëror për drejtësinë është hipokrizi e s’bën tjetër, veçse shkakton refuzimin nga ana e Zotit. Në këtë vazhdë, Mesia, Shëlbuesi i hebrenjve, përfytyrohet me cilësi mbretërore, por sidomos si Ai që praktikon drejtësinë.
Ja si shkruan Isaia profet për mbretin/Emanuelin që pritet me shpresë: “Do t’i gjykojë me drejtësi skamnorët, do t’u japë gjyq të drejtë të përvujtëve të vendit… Brezi i kryqit të tij do të jetë drejtësia” (11,4-5). E në Psalmin 72 këndohet: “O Hyj, jepja mbretit gjyqin tënd dhe drejtësinë tënde birit të mbretit, që ta gjykojë popullin tënd me drejtësi e skamnorëve të tu t’u japë të drejtën… Ai do t’i gjykojë të vobektët e popullit, do t’i shpëtojë bijtë e skamnorit, do ta përulë shpifësin” (vv. 1-4). Modelet politike, të pranishme në Bibël, janë të ndryshme e shpesh kanë karakteristika teokratike, pasi në lashtësi froni dhe elteri, politika e feja përziheshin shpesh.
Por, Jezusi vendos i pari një dallim të rëndësishëm, kur, para monedhës perandorake me fytyrën e Çezarit, deklaron: “Jepini Çezarit çka i përket Çezarit e Hyjit çka i përket Hyjit” (Mt 22,15-21). Njeriu “i përngjan” Zotit, thotë Bibla, prandaj, është e nevojshme që pushteti politik ta respektojë gjithnjë dinjitetin e njerëzve e moralin. Por monedha me fytyrën e Çezarit na kujton se ekziston një autonomi e politikës dhe e ekonomisë, me kusht që ajo të vihet në shërbim të njeriut e të shoqërisë.
Kështu, në Besëlidhjen e Re, kemi, nga njëra anë, shën Palin Apostull, që e njeh të drejtën e pagimit të taksave në favor të perandorisë romake (Rm 13,1-7) e që i fton besimtarët të luten për qeveritarët (1 Tm 2,1-2) dhe, nga ana tjetër, Zbulesën, apo Apokalipsin, që denoncon dhunën shtypëse të perandorisë, duke parashikuar gjykimin shkatërrues të Zotit për të. I krishteri e kupton pavarësinë e politikës, por jeton në shoqëri duke dëshmuar drejtësinë e respektin ndaj vlerave njerëzore, me pretendimin që politika e qeverisja e vendit të ketë të njëjtat baza.







All the contents on this site are copyrighted ©.