2011-05-26 13:51:20

Shën Filip Neri, krijues i Oratoreve për të rinjtë.


“Pipo i mirë”- kështu e quanin fëmijët e Romës së vjetër Shën Filip Nerin, që përkujtohet sot nga Kisha katolike. Shenjti, i lindur në Firence, por bir në shpirt i Romës, jetoi në vitet 1500, duke ia kushtuar gjithë vetveten të rinjve nevojtarë, për të cilët krijoi oratoret e themeloi, në vitin 1575, Kongregatën e Vëllezërve të Oratorit. Por cila është e veçanta e këtij shenjti, që vijon të mbetet në kujtesën e njerëzve si ‘Apostull i Romës”?
Në mikrofonin tonë, atë Eduard Çerrato, Prokuror i përgjithshëm i Konfederatës së Oratoreve, na e përshkruan kështu Shenjtin e rinisë e të gëzimit:
Përgjigje: - Filipi ishte meshtar e ajo që dëshmon në historinë e Kishës, është pikërisht jeta meshtarake, e jetuar në lidhje të ngushtë me Ungjillin deri në atë masë sa t’i linte pa mend bashkëkohësit e ta shtynte ndokend të shkruante për të: “Ia ndërroi faqen Romës”. Dëshmoi, kështu, madhështinë e meshtarit katolik.

Pyetje: - Tejet e fortë, lidhja e Shenjtit me të rinjtë nevojtarë, të cilëve u kushtoi gjithë jetën…

Përgjigje: - Dashuria e Shën Filipit për të rinjtë qe e fortë dhe e vazhdueshme, deri në atë pikë, sa që ata vijuan ta duan me gjithë shpirt, edhe kur i kishte kapërcyer të tetëdhjetat, domethënë, nuk ishte më i ri në moshë. Por ai mbeti gjithnjë i ri në shpirt. Më i ri se vetë të rinjtë, të cilët shikonin tek ai një shok, një mik e mblidheshin rreth tij në orator, duke u bërë dishepuj të Shenjtit, në shërbim të pajtimit. Pranë Filipit, të rinjtë gjenin gjithë hapësirën, që kërkonte mosha e tyre shpërthyese, e jo vetëm në kuptimin fizik të fjalës.

Pyetje: - Po sot, a ekziston ende Oratori?

Përgjigje: - Ekziston ende. Madje mund të themi se kjo është edhe vepra kryesore e Kongregatës. Oratori sot, ashtu si dje, ka disa seksione: njëri është ai rinor, por është edhe Oratori në kuptimin më të gjërë të fjalës, domethënë i parë si shkollë e jetës së krishterë, që të mëson, përmes predikimeve mbi fjalën e Zotit e nismave të ndryshme, sidomos atyre muzikore, sepse muzika pati gjithnjë rëndësi të dorës së parë në veprimtarinë baritore të Shenjtit. Filip Neri e quante muzikën “peshkatare shpirtrash”, prandaj e vuri atë e artin, në përgjithësi, në shërbim të ungjillëzimit.

Pyetje: - “Jini të mirë, po të mundeni”, u thoshte Filipi të rinjve. Por kjo shprehje nuk duhet kuptuar si sinonim i mirësisë, në kuptimin relativist të fjalës?

Përgjigje: - Krejt përkundra. E madje duhet kujtuar se e thoshte këtë në dialektin e Romës: “state boni se potete”!Dhe e dimë mirë se në dialektin romanesk kjo do të thotë ‘të jeni të vendosur, këmbëngulës’ për arritjen e qëllimeve. Në këtë porosi, mirësia duhet parë si impenjim moral, përndryshe do të ishte shembull i relativizmit, i qëndrimit të njeriut, që është i mirë me të mirën e me të keqen, që s’kundërshton kurrë atë që nuk është e drejtë, e mirë, pra që pranon gjithçka, me një mirësi që, në fund të fundit, nuk mund të quhet mirësi në kuptimin e plotë të fjalës. “Jini të mirë” do të thotë “jini këmbëngulës”, përpiquni për të hyrë me qetësi brenda kësaj udhe të edukimit. Ky është shpirti që gjejmë në mësimet edukative të Shën Filip Nerit.

Pyetje: - Shën Filipi është “profet i gëzimit”. Kështu e quajti Gjon Pali II. Ç’do të thotë?

Përgjigje: - Do të thotë ‘ai që, në emër të Zotit, flet për gëzim, ai që, në emër të Zotit, mëson ç’është gëzimi’. Gëzimi, që dëshmoi Shën Filipi, është pikërisht ai, për të cilin flet Jezusi në Ungjill, kur thotë: “Po ju jap gëzimin tim! Po ju lë gëzimin tim”. E ky gëzim s’është tjetër, veçse miqësia me Jezusin, është fryt i kësaj miqësie!

Pyetje: - Atë Çerrato, cili është urimi juaj sot, kur Kisha kujton Shën Filipin?

Përgjigje: - Sivjet dëshiroj të kufizohem, në se mund të shprehemi kështu, ndonëse nuk është aspak kufizim. Të kufizohem, pra, në Vitin Meshtarak, që po jetojmë. Uroj që meshtarët të zbulojnë se besnikëria e tyre mund të jetë vetëm ajo, që i ka rrënjët në besnikërinë e Krishtit ndaj dishepujve të vet. Filip Neri, thellësisht meshtar, jo pa arsye paraqitet në art gjithnjë i veshur me paramentet meshtarake. Ç’ishte për Shën Filipin Mesha shenjte, Kungimi, Shërbimi meshtarak? Ishte shpirti i tij! E këtë uroj edhe unë: që ta gjejmë forcën e burimin e besnikërisë sonë, në besnikërinë e Krishtit, ashtu si Filip Neri!







All the contents on this site are copyrighted ©.