2011-05-26 14:42:53

Presidenti i Serbisë Tadiq konfirmon arrestimin e Mlladiqit


Presidenti i Serbisë, Boris Tadiq, konfirmoi personalisht arrestimin e të akuzuarit për krime lufte, Ratko Mlladiq. Tadiq përgëzoi anëtarët e Ekipit veprues dhe të Këshillit Kombëtar për bashkëpunim me Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës, për të cilët tha se "kanë punuar me përkushtim çdo ditë dhe çdo orë". Ai tha "tani është mbyllur një faqe e historisë dhe është hapur një e re". "S'kemi kalkuluar se kur do ta arrestojmë. Ne kemi bashkëpunuar që nga fillimi me Gjykatën e Hagës, prejse kjo qeveri ka marrë mandatin e saj", tha Tadiq.
Menjëherë pas arrestimit filloi procesi i ekstradimit të Mlladiqit për në Hagë. Duke folur për mundësinë e protestave, Tadiq tha se nuk do të përfshihet në spekulime të tilla. "Serbia vazhdon të përmbushë detyrimet e saj. Institucionet po bëjnë punën e tyre dhe Serbia do të bëjë gjithçka të mundur që të mbetet e qëndrueshme". Tadiq premtoi se së shpejti do të arrestohet edhe krimineli tjetër i luftës Goran Haxhiq.







All the contents on this site are copyrighted ©.