Më 26 maj kalendari Kishtar përkujton Shën Filip Nerin, meshtar, diamant i Zotit.
Duke shfletuar kalendarin më 26 maj Kisha përkujton Shën Filip Nerin, meshtar. Shën
Filip Neri lindi në Firence më 21 korrik të vitit 1515, ndërsa vdiq më 26 maj të vitit
1595 në Romë në moshën 80 vjeçare. Disa thonë se Hyji është orëndreqës... Ose
ndoshta-ndoshta është arpunues e njerëzit s’janë tjetër, veçse gurët e çmuar me të
cilët stolis veprën e tij të krijimit. Kur punon një diamant, e bën të vezullojë me
gjithë shkëlqimin e vet. Filip Neri është një nga këto diamante. Gjithçka nisi
në vitin 1544, pranë Romës, në errësirën e katakombeve, varreza të nëndheshme, ku
të krishterët e parë varrosnin të vdekurit e tyre. Kur ishte duke vizituar katakombet,
Zoti i dha një hir të posaçëm, një lloj dhuntie: mund të depërtonte në zemrat më të
gurta, ku nuk ishte aspak e lehtë të hyje. Për të mos e dredhur më shumë fjalën, ishte
në gjendje t’i njihte hallet e dhimbjet e njerëzve, para se t’ia rrëfenin. Kur takonte
ndonjë të ri – e Filipi shkonte për t’i kërkuar në vendet më famëkeqe të Romës - e
kuptonte menjëherë se diçka nuk shkonte. E i mjaftonte të thoshte një fjalë të vetme,
që i riu ta merrte me mend se Filipi tashmë dinte gjithçka. Atëherë nuk mund të mos
e zbrazte menjëherë ç’ kishte në zemër, për t’u ndjerë sakaq më mirë, më i lirë më
i fortë. Shumë nga ata që mblidhen rreth Filipit janë djem të lënë në duart e fatit.
Disa prej tyre flenë në Kishë, mbi banka e deri në varret e familjeve të mëdha romake.
Formojnë një grup, një grigjë, e Filipi bëhet bariu i tyre…. Flet me ta, lutet, këndon,
organizon shëtitje e lojëra. Me këtë grup bashkohen edhe muzikantë e poetë. Në
vitin 1575 papa i dhuron Kishën e Shën Jeronimit, ku Filipi ndërton një sallë. E quan
oratorio, fjalë me shumë kuptime. Kuptimi i parë: sallë lutjesh. Aty organizohen oratoriot
e para në historinë e muzikës. E ky është edhe kuptimi i dytë i fjalës: oratorio quhen
edhe koncertet e koreve me zëra të bardhë, solist e orkestër. Së treti, kështu quhet
edhe shoqata e të rriturve dhe e priftërinjve, e themeluar nga Filipi, për të ndihmuar
të rinjtë. Një ditë, njëri nga djelmoshat shkon te Filipi, i cili sapo ka kryer
kremtimin e Meshës: “Kam parë diçka të çuditshme, më beso…. Pashë me sytë e mi këmbët
tua duke u shkëputur nga toka … duke u ngritur lart ngadalë-ngadalë !”. “Nuk mund
të mos ngrihem!”, përgjigjet prifti, duke qeshur me lot. Filipi merr shpesh hire të
jashtëzakonshme e i kërkon Hyjit të mos i japë tepër: “Mjaftojnë këto që më ke dhuruar,
o Zot, m’i ruaj këto që kam, sepse asnjë i vdekshëm nuk mund ta përballojë një gëzim
kaq të madh!”. Por Arpunuesi hyjnor, specialist i paarritshëm në skalitjen e diamantit,
e ruan me kujdes të madh këtë stoli të njerëzimit dhe e bën të vezullojë çdo ditë
më shumë. Filip Neri vdiq në vitin 1595 dhe të gjithë nisën ta quajnë Shenjt. Vetëm
pak vjet më vonë iu njoh edhe zyrtarisht ky titull, që ia kishte dhënë menjëherë populli
i Zotit.