2011-05-26 13:38:25

Kardinali Rodríguez Maradiaga rizgjidhet kryetar i Karitasit Ndërkombëtar


Kardinali Oskar Andrés Rodríguez Maradiaga, kryeipeshkëv i Teguçigalpës, u zgjodh dje kryetar i Karitasit Ndërkombëtar, detyrë që e ka kryer gjatë katër viteve të fundit. Zgjedhja u bë gjatë Asamblesë së Përgjithshme të Konfederatës së organizmave bamirëse, që vijon në Romë deri më 27 maj.
Kardinali Rodríguez Maradiaga vë theksin mbi dy sfida, që burojnë nga rrethanat e sotme ndërkombëtare, në ndryshim të shpejtë e të vazhdueshëm, të cilat Karitasi Ndërkombëtar nuk mund të mos i ketë mirë parasysh në të ardhmen e afërt:
“Zero varfëri, një familje e vetme njerëzore” është tema e Karitasit Ndërkombëtar për katër vitet e ardhshme. Janë dy vlera, që duhet t’i inkurajojmë: të kufizojmë varfërinë e të thellojmë bashkimin në familje. Mendoj se kjo ka rëndësi të veçantë sepse, siç ka thënë Ati i Shenjtë, ekziston rreziku që bankat t’i harrojnë të gjitha vuajtjet, pasojë e krizës ekonomike e të rikthehen edhe një herë problemet e mprehta financiare. Pra, mendojmë të ecim përpara me këtë projekt”.

Të nxitësh veprat e bamirësisë, në dritën e mësimeve të Kishës, do të thotë edhe t’u përgjigjesh emergjencave dhe kërkesave për ndihmë, pa e harruar kurrë identitetin katolik. Të dëgjojmë, në mikrofonin tonë, Chris Tucker, përfaqësues i Karitasit të SHBA-s:

Përgjigje: – I would say our catholic identity ...
Identiteti ynë katolik nuk është vetëm vendimtar, por edhe ekzistencial për ne, si të krishterë, sepse na krijon kushtet të vijojmë punën, me të njëjtën frymë, ashtu si e kemi realizuar deri tani. Edhe në vendet ku të krishterët, e sidomos katolikët, nuk përfaqësojnë shumicën, mendoj se njerëzit me formim fetar shikohen me respekt të thellë. E duhet theksuar edhe se ndjehet fort konsiderata e madhe për Kishën katolike.

Misioni i Karitasit Ndërkombëtar nuk mund të shkëputet nga puna në skuadër. Një shembull simbolik është ai i Haitit, ku dramës së tërmetit të 13 janarit të 2010-tës, iu përgjigjen vullnetarë të Karitaseve nga vende të ndryshme të botës: Akoma Chris Tucker:

Përgjigje- There was a coordination…
Patëm ndërmjet nesh një bashkëpunim të ngushtë, për të siguruar rezultate të përbashkta, pa menduar për asnjë çast që t’ia kalonim njëri-tjetrit. Mendoj se është një shenjë e qartë, e cila tregon sa e mrekullueshme është prania e Kishës në situata emergjence, si në Haiti, ashtu edhe kur është fjala për të përballuar sfidat e zhvillimit.

Veprimtaria e Karitasit Ndërkombëtar lidhet ngushtë me atë, që zhvillojnë shtetet për të ndihmuar popullsinë në situata krize. Përgjigjet Mark Richards, i Karitasit të Zelandës së Re:

Përgjigje: – Our mandate is actually rather...Mandati ynë është mjaft i gjerë, por nuk ka të bëjë me mjedisin familjar, sipas kuptimit njerëzor të kësaj fjale: për këtë impenjohen shërbimet shoqërore. Ne ndjekim aspektin humanitar, çojmë ndihma, i japim shtytje zhvillimit: jemi agjencia, që lidh Konferencat ipeshkvnore me qeveritë.







All the contents on this site are copyrighted ©.