2011-05-26 13:38:37

Festivali i parë Ndërkombëtar për Dialogun e Paqen ndërmjet Popujve e Feve në Romë


Një trëndafil, që del nga gëzhoja e një predhe topi: kjo është emblema e Festivalit të parë Ndërkombëtar për Dialogun e Paqen ndërmjet Popujve e Feve, organizuar nga Ambasada irakiane pranë Selisë së Shenjtë. Festivali u përurua sot pasdite, por dyert e ambasadës, në rrugën Kamiluçia të Romës, do të hapen për publikun nesër e pasnesër nga ora 10 deri në orën 14. Tetëdhjetë artistë, nga 26 vende të ndryshme, do të ekspozojnë veprat e tyre, ose do të japin shfaqje për të përçuar mesazhin: “T’i zëvendësojmë armët me dialogun e artin e të bëjmë që të çelet në botë lulja e lirisë krijuese”.
Për nismën kujdeset skulptori irakian Ali Al Xhabiri, i cili ka zgjedhur 25 piktura të artistëve nënshkrues të Manifestit të Kaltërt për Paqen, lindur më 1986 në Bagdadin e martirizuar nga konflikti me Iranin. Por arti do të paraqitet me 360 gradë. Vërtet, bëjnë pjesë në festival, piktura, skulptura, muzika, vallëzimi e poezia, me bindjen se njeriu që nuk di të krijojë, di vetëm të shkatërrojë.
“Ne duam të nxisim bashkëpunimin ndërmjet të gjitha kulturave dhe feve për të përforcuar vlerat e pjesëmarrjes aktive e të dialogut në kundërshtim me intolerancën dhe mbylljen në vetvete” – shpjegoi ambasadori irakian pranë Selisë së Shenjtë, Habib Al Sadr. Kritikja italiane e artit, Sara Nardoni, kujtoi “Kapriçot” e piktorit Francisko Goja, i cili pati paraqitur, me satirë të hollë, përbindëshat, që prodhon dremitja e arsyes njerëzore. Por, theksoi Nardoni, nëse arsyeja, e pavënë në veprim, i lë shteg luftës, mund të mendojmë edhe se vetë arsyeja mund ta prodhojë ilaçin kundër së keqes. Kështu thotë edhe një parim themelor i Kushtetutës së UNESCO-s: “meqë luftrat fillojnë në mendjet e njerëzve, pikërisht në mendjet e njerëzve duhen ndërtuar barrikadat për mbrojtjen e paqes”.







All the contents on this site are copyrighted ©.