2011-05-25 17:53:30

Çështja izraelito-palestineze: Netanijahu largohet nga SHBA-të, por dialogu nuk rifillon


Kryeministri izraelit Netanijahu kthehet sot në atdhe, pas një vizite 5-ditore në SHBA-të. Duke folur dje para Kongresit amerikan, ai u mbylli derën shumë çështjeve të rëndësishme për procesin e paqes me palestinezët. “Izraeli – tha kryeministri – do të tregohet bujar me shtetin e ardhshëm palestinez, por nuk do të kthehet kurrë në kufijtë e vitit 1967”. Kujtojmë se ky plan u paraqit vetëm pak ditë më parë nga presidenti amerikan, Barak Obama. Ndërkaq, presidenti palestinez Mahmud Abaz deklaroi se Tel Avivi po vendos pengesa të tjera në rrugën e paqes. Por cilët janë kufijtë e vitit 1967 e çfarë përfaqësojnë ata? Pyetëm ekspertin italian për Lindjen e Mesme, Xhorxho Bernardeli:
Përfshijnë territoret e pushtuara nga Izraeli, që nuk janë aneksuar kurrë zyrtarisht gjatë këtyre 40 vjetëve. Janë territore të kolonizuara, me ngulime hebraike të kontrolluara edhe ushtarakisht nga Izraeli. Në këto 40 vjet, Izraeli është zmadhuar e shtuar me 250 mijë hebrenj, që jetojnë në këto territore. Përqindja është e lartë, po të mendojmë se ky shtet ka një popullsi prej rreth 7 milion banorësh.
Kthimi mbrapsht është i vështirë…
Po, por edhe këtu, duhet të kemi kujdes e ta kuptojmë luftën e fjalëve. Natyrisht, askush nuk mendon - madje as Obama, ose vetë palestinezët – se gjendja mund të kthehet automatikisht në atë të vitit 1967. Problemi është politik. Netanijahu thotë: “Ne do t’i mbajmë ngulimet më të mëdha, por jemi gati për disa lëshime të dhimbshme”, pa sqaruar se cilat mund të jenë këto, gjë që të bën të dyshosh për vlefshmërinë e deklaratës. Ky është një qëndrim krejtësisht i kundërt me atë të Obamës, por jo vetëm kaq. Bën pjesë në atë luftë fjalësh, që e lë gjendjen absolutisht ashtu siç është, pa asnjë ndryshim. Sot për sot, bisedimet për Lindjen e Mesme nuk ekzistojnë. Prej muajsh, negociatat janë ndalur, pas refuzimit të qeverisë së Netanijahut për të pranuar propozimin e mosndërtimit të shtëpive në ngulimet e reja. Edhe i dërguari i presidentit Obama për Lindjen e Mesme, senatori Xhorxh Miçëll dha dorëheqjen javën e kaluar.







All the contents on this site are copyrighted ©.