2011-05-25 17:53:47

Shqipëri: nesër Kolegji Zgjedhor shqyrton padin e socialistëve


Do të mblidhet nesër, më 26 maj, Kolegji Zgjedhor në Tiranë për të shqyrtuar padinë e Partisë Socialiste për rezultatin e zgjedhjeve të 8 majit në Tiranë. Kolegji përbëhet nga 8 gjykatës, emrat e të cilëve janë zgjedhur me short nga Këshilli i Drejtësisë. Që dje, selia e institucionit mbahet nën kontroll nga forcat e policisë.
Prononcohen edhe ndërkombëtarët. Në një notë të përbashkët, Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për politikën e jashtme, Katrin Eshton dhe komisari për zgjerimin, Stefan Fule deklarojnë se janë njoftuar për shpalljen e rezultatit të Tiranës, që ia kalon kryesinë e bashkisë të djathtit Lulzim Basha, me 81 vota më tepër se socialisti Edi Rama, por janë edhe të shqetësuar për vlefshmërinë ligjore të vendimit për të rinumëruar votat, duke marrë parasysh ato të hedhura në kuti të gabuara. Të dy theksojnë se Brukseli pret që procedura e apelimit kundër vendimit të pardjeshëm të Komisionit Qendror Zgjedhor të jetë “korrekte, transparente, e pavarur, në respektim të plotë të kornizës aktuale ligjore”. Sipas përfaqësuesve evropianë, partitë kryesore në vend duhet të fillojnë menjëherë dialogun dhe të gjejnë një qëndrim të përbashkët për çështjen, për të cilën mund të kërkohet edhe një “opinion i jashtëm i pavarur”. “Interesi i vendit – nënvizohet në notë – dhe vazhdimi i rrugës për integrimin evropian duhet të jenë mbi interesat e partive. Krerët e politikës duhet të respektojnë aspiratat evropiane dhe demokratike të qytetarëve shqiptarë”.







All the contents on this site are copyrighted ©.