2011-05-25 16:31:00

Papa në audiencën e përgjithshme: lutja, luftë përkrah Zotit, fiton kur i dorëzohesh dashurisë së tij.


“E gjithë jeta jonë është si një natë e gjatë lufte e lutjeje”. Ishte ky, një nga mendimet kryesore, që përshkoi audiencën e sotme të përgjithshme, mbajtur në Sheshin e Shën Pjetrit, në Vatikan, gjatë së cilës Benedikti XVI vijoi katekizmin kushtuar lutjes, i frymëzuar nga tregimi biblik i luftës së Jakobit me Zotin.
Në natën e zezë, një njeri luhatet verbërisht nëpër errësirë, me një barrë të padurueshme mbi ndërgjegje. Kërkon nëpër natë një aleat, që ta ndihmojë për ta shkarkuar barrën e për të gjetur ndjesën, aq të dëshiruar. E pastaj, krejt papritmas, një i panjohur del nga errësira dhe e sulmon. Nis ndeshja për jetë a vdekje, që vijon gjithë natën. Janë elementet tregimtare të episodit, rrëfyer në Librin e Zanafillës, nga të cilat u frymëzua Papa për katekizmin e sotëm. Njeriu, që çapitet tinzash në gjirin e natës, është Jakobi, i cili rreket të hyjë përsëri në tokën e vet, pasi ka ikur që aty, sepse i ka zënë padrejtësisht vendin të vëllait, Ezaut, djalit të madh, e i ka rrëmbyer bekimin, që nuk i takon, babait të verbër. Bekim e vend, të cilat i ka bërë të vetat, duke shkelur mbi ligjet njerëzore e hyjnore. Prandaj i rëndojnë mbi shpirt, si të ishin mallkim. Provon, atëherë, të rikthehet tinzisht, si të gjithë mashtruesit, por ndërsa është duke kaluar vaun e Jabokut, kundërshtari ia rrënon të gjitha planet:
“Kishte përdorur dinakërinë, për të dalë nga një gjendje e rrezikshme; mendonte se do të mund ta kishte gjithçka nën kontroll, ndërsa tani i duhet të përballojë një ndeshje misterioze, një sulm të papritur, ndërsa është krejt vetëm e pa asnjë mundësi për t’u mbrojtur si duhet”.
Ndeshja është e rreptë. Jakobi, shpjegoi Papa, i mbështjellë nga errësira, nuk është në gjendje ta dallojë kundërshtarin. Por, më në fund, arrin ta mposhtë. Atëherë i kërkon ta bekojë, nëse dëshiron ta lërë të shkojë i lirë në punë të vet. Kërkon po atë bekim, që sapo e kishte rrëmbyer nga i jati, vërejti Papa. Por kundërshtari e pyet së pari si e quajnë, e ai ia tregon emrin:
Këtu lufta bën një kthesë të rëndësishme. Të dish emrin e dikujt, është njëlloj si të kesh pushtet mbi atë njeri, sepse emri, në mendësinë biblike, është shprehja më e thellë e njeriut, që e mban. Zbulon sekretin e fatit të tij. Atëherë t’ia dish tjetrit emrin, do të thotë të njohësh të vërtetën mbi të e, sidomos, të mund ta sundosh”.
Skena kthehet përmbys. Fitimtari i ndeshjes, lëshohet në duart e kundërshtarit e kërkon prej tij një emër të ri. Emri Jakob, shpjegoi Papa, na kujton foljen “gënjej”, “mashtroj”, por tani emri i ri, që i jep Zoti, sepse ishte Zoti kundërshtari misterioz, është “Izrael”. E Izrael do të thotë: “Zoti është i fuqishëm”; “Zoti fiton”:
“Jakobi, pra, ngadhënjeu, fitoi - e këtë e pohon vetë ai që e sulmoi – por identiteti i ri, që ia dha kundërshtari, pohon e dëshmon se fitorja i përket Zotit. E kur Jakobi kërkon të dijë emrin e atij, që e kishte sulmuar në errësirë, kundërshtari nuk pranon t’ia tregojë, por i dëftohet me një gjest, i cili nuk mund të vihet në dyshim, duke i dhënë bekimin. Atë bekim, që Patriarku e pati kërkuar që në fillim të luftës e që i jepet në fund të saj”.
Kisha, shpjegoi Ati i Shenjtë, shikon në këtë tregim simbolin e lutjes, si betejë e fesë e fitore e durimit. Teksti biblik flet për natën e gjatë të kërkimit të Zotit, të luftës për t’ia mësuar emrin e për t’ia parë fytyrën: është nata e lutjes, gjatë së cilës njeriu, me guxim e duresë, kërkon nga Zoti një bekim, një emër të ri e një jetë të re, fryt i pendimit e i faljes.
Mund të themi, prandaj, nënvizoi në përfundim Papa, se nata e Jakobit në vaun e Jabokut, bëhet për besimtarin një pikë, ku mund të mbështetet, për të kuptuar lidhjen me Zotin, që gjen shprehjen e vet më të lartë, në lutje:
“Lutja kërkon besim, afërsi, në një ndeshje simbolike gati trup për trup, jo me një Perëndi kundërshtare e armike, por me një Zot bekues, që mbetet gjithnjë misterioz e duket i paarritshëm. Një ndeshje e tillë nuk mund të mos arrijë kulmin me një dhurim: njeriu ia dhuron krejt vetveten Zotit, duke pranuar ligështinë e vet e duke e kuptuar se fiton, pikërisht kur dorëzohet plotësisht në duart e Tij të mëshirshme”.
E gjithë jeta jonë, tha në përfundim Ati i Shenjtë, është si nata e Jakobit: e errët, e gjatë, natë lufte e lutjeje. Duhet kaluar me dëshirën e zjarrtë për një bekim, në kërkim të këtij bekimi, që nuk mund ta rrëmbejmë e as ta fitojmë duke u mbështetur mbi forcat tona. Bekimin mund ta marrim vetëm duke u dorëzuar përvujtërisht para Zotit, si dhuratë pa asnjë shpërblim, e cila, në fund të fundit, na ndihmon të shohim vetë fytyrën e Tij. Ndërmjet përshëndetjeve, drejtuar 15 mijë shtegtarëve e besimtarëve të pranishëm në Sheshin e Shën Pjetrit, kujtojmë atë, që Benedikti XVI ia drejtoi, në gjuhën angleze, grupit të ushtarakëve amerikanë, të plagosur gjatë luftimeve në Afganistan e në Irak. Papa i siguroi se do t’i ndjekë me lutje.







All the contents on this site are copyrighted ©.