2011-05-25 17:53:16

Obama: dy shtete, por jo njohje të Palestinës në OKB, në shtator


Në ditën e dytë të vizitës së tij në Britaninë e Madhe, presidenti amerikan Barak Obama u ndal sërish në procesin e paqes në Lindjen e Mesme, në një konferencë shtypi të përbashkët me kryeministrin britanik, Dejvid Kamerun.
Dy shtete, një palestinez e një izraelit, janë të mundur, por kërkesa e presidentit Mahmud Abaz për ta njohur Palestinën nga OKB-ja në mbledhjen e saj të shtatorit, është e gabuar. Kështu tha Barak Obama, duke theksuar se zgjidhja e problemeve ndërmjet dy popujve do të kërkojë kompromise të mëdha nga të dyja palët.
Në konferencën e shtypit u fol edhe për pranverën arabe. Si Obama, ashtu edhe Kamerun, nënvizuan se koloneli libian Muhamar Gedafi duhet të largohet nga pushteti. E ardhmja e vendit duhet menduar pa të. Një reflektim edhe për krizën ekonomike botërore. Sipas Obamës, të gjitha vendet duhet të zvogëlojnë borxhin e tyre publik, që t’i hapin dyert zhvillimit ekonomik dhe investimeve, por secili duhet ta vendosë këtë mbi bazën e mundësive.







All the contents on this site are copyrighted ©.