Ngushëllimet e Papës për viktimat e tornados në Xhoplin: më se 120 të vdekur.
Papa shprehu ngushëllimet më të ndjera për viktimat e tornados katastrofike të së
dielës së kaluar, që dëmtoi rëndë qytetin amerikan të Xhoplinit, në Misuri. Deri tani
flitet për 120 të vdekur, ndërsa me qindra të tjerë konsiderohen të humbur. Në
një telegram, me nënshkrimin e sekretarit të Shtetit të Vatikanit, kardinalit Tarçizio
Bertone, drejtuar ipeshkvit të Springfield, imzot Xhejms Xhonston, Benedikti XVI shpreh
afërsinë e tij, duke siguruar se i lutet Zotit t’u japë pushimin e pasosur e dritën
e pambaruar të vdekurve; ngushëllimin familjarëve të tyre në zi, forcën e shpresën
të pastrehëve e të plagosurve. I vetëdijshëm për punën vigane, që duhet të përballojnë
autoritetet vendase për ta ngritur edhe një herë në këmbë jetën e rrënuar, Papa i
lutet Zotit t’u japë të gjithë atyre, që po impenjohen në veprimtaritë e ndihmës së
shpejtë, dhuratat hyjnore të urtisë, të forcës e të duresës. Tornado tani po kalon
mbi Oklahomën fqinje, ku deri tani ka shkaktuar vdekjen e katër vetëve.“Pamje pikëlluese,
që ta këpusin shpirtin”: kështu i komentoi Barak Obama nga Londra, pamjet nga Xhoplini,
pas tornados më të fuqishme të 60 vjetëve të fundit. Më se dymijë, shtëpitë e bëra
rrafsh me tokë e 1500, të humburit. Me një furi të paparë prej më se 320 kilometrash
në orë, tornado ishte aq shkatrrimtar, sa të dëmtonte jo vetëm shtëpitë prej druri,
por edhe ato me betonarme, si spitali i Shën Gjonit. Duke kaluar me tërbim, mori me
vete shumicën e shtëpive, që takoi udhës, e varrosi për së gjalli nën gërmadha, familje
të tëra. Kërkimet vijojnë, por jo pa dëshpërim, sepse që mbrëmë zona po rrihet si
me kamxhik nga shtrëngata. Presidenti amerikan njoftoi se të dielën, menjëherë pasi
të kthehet nga Evropa, do të vizitojë Misurin. Një muaj më parë, një qytet i Jugut
të SHBA-së, u dëmtua rëndë nga një tornado tjetër: është fjala për zonën e Tuskalozës,
në Alabama, ku humbën jetën 300 vetë.