2011-05-25 12:52:47

Benedikti: jeta jonë është si një natë e gjatë luftimi dhe lutjeje. Njeriu fiton nëse fiton Zoti, në histori fitojnë së bashku.


E tërë jeta jonë është porsi natë e gjatë beteje e lutjeje, për t’u konsumuar në dëshirën e në kërkesën e bekimit të Zotit që nuk mund të rrëmbehet apo të fitohet duke u mbështetur në fuqitë tona, por duhet të pranohet me përvujtëri prej Atij, si dhuratë e falur që së fundi, na mundëson ta njohim fytyrën e Zotit”. Kështu u shpreh mes tjerash Papa Benedikti XVI gjatë katekizmit të audiencës së përgjithshme mbajtur paradite në sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, marr nga tregimi biblik i luftës së Jakobit patriark me Zotin te vau i Jabokut.
“Është një fragment jo i lehtë për t’u interpretuar, por i rëndësishëm për fenë dhe lutjen në jetën tonë”, shpjegoi Papa. “Shpjegimet që ekzegjeza biblike mund të jap lidhur me këtë tekst janë të shumta”, por, “kur këto elemente përvetësohet nga autorët e shenjtë dhe përfshihen në tregimin biblik, ato e ndryshojnë domethënien e teksti hapet ndaj përmasave më të gjëra”, sqaroi Benedikti XVI.
“Ngjarja e luftimit në Jabokut na ofrohet kështu si tekst paradigmatik me të cilin populli i Izraelit flet për zanafillën e vet e përvijon tiparet e një marrëdhënie të veçantë ndërmjet Zotit e njeriut”, shtoi Ati i Shenjtë Racinger. Për këtë, “tradita shpirtërore e Kishës e pa në këtë tregim simbol të lutjes në luftimin e fesë e të fitores së qëndresës”.
Teksti biblik “na flet për natën e gjatë të kërkimit të Zotit, të përpjekjes e luftimit për të njohur emrin e për ta pa fytyrën; është nata e lutjes që me ngulm e qëndresë i kërkon Zotit bekimin e njeriut të ri, të realitetit të ri, fryt o kthimit dhe i faljes”. Nata e Jakobit te vau i Jabokut bëhet kështu për besimtarin “pik referimi për të kuptuar marrëdhënien me Zotin që në lutje e gjen shprehjen e vet më lartë. Lutja kërkon besimin dhe afërsinë si simbol i Zotit që nuk është kundërshtar e armik i njeriut, por Zot që bekon duke mbet përherë i mistershëm, e që duket i paarritshëm”.
Tregimi biblik nga Libri i Zanafillës kreu 32,22-32.

Luftimi me Hyjin
22 Po atë natë Jakobi u çua, i mori dy gratë e veta dhe dy shërbëtoret me njëmbëdhjetë bijtë dhe e kaloi vaun e Jabokut.
23 I mori, pra, dhe i kaloi në atë anë të përroit ata dhe gjithçka ishte e tija, 24 kurse ai mbeti vetëm.
Kur, ja, një njeri po luftonte me të deri në mëngjes! 25 Ky, kur pa se nuk po mund ta mundë, ia preku kërdhokullën, dhe menjëherë i doli gjymtyra e kërdhokullës së Jakobit, ndërsa po rrokej me të. 26 Ai i tha: “Më lësho se zbardhi agimi”! - “Jo, nuk të lëshoj - i tha ky - në qoftë se nuk më jep më parë bekimin”!
27 Ai tha: “Si quhesh për emër”? iu përgjigj: “Jakob”. 28 Atëherë ai i tha: “Nuk do të quhesh më Jakob, por Izrael: sepse luftove me Perëndinë e me njerëz dhe ngadhënjeve”! 29 Jakobi e pyeti: “Ma trego emrin tënd”! U përgjigj: “Përse ma kërkon emrin”? Dhe ia dha bekimin në atë vend. 30 Jakobi e quajti atë vend Fanuel. Tha: “E pashë Perëndinë faqe faqas dhe mbeta gjallë”!
31 Dielli po lindte kur Jakobi e kaloi Fanuelin. Shqeponte për shkak të kërdhokullës. 32 Për këtë arsye izraelitët nuk e hanë dellin që është në gjymtyrën e kërdhokullës as sot e kësaj dite. Arsyeja është pse Ai ia preku Jakobit glicën e kërdhokullës.







All the contents on this site are copyrighted ©.