2011-05-23 17:13:20

“Një familje njerëzore-zero varfëri”: u hap asambleja e Karitasit Ndërkombëtar, 60 vjet pas themelimit.


“Një familje njerëzore- zero varfëri”: kjo është tema e Asamblesë së 19-të të Karitasit Ndërkombëtar, punimet e së cilës u hapën dje, në Domus Mariae, në Romë. Takimi përkon me 60-vjetorin e themelimit të organizmit i cili, me selitë e tij në 160 vende, përballon të gjitha emergjencat planetare, katastrofat e luftërat, për të mbrojtur dinjitetin e njeriut në të gjitha rrethanat, edhe më të vështirat. Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Tarçizio Bertone, i përcolli përshëndetjen e Papës kryetarit të organizmit, kardinalit Andrés Rodriguez Maradiaga si dhe të gjithë pjesëmarrësve të pranishëm.
Karitasi Ndërkombëtar, në zemër të Kishës universale dhe çdo Karitas vendas, janë simbol i asaj toke të re, që flet për shëlbimin e mbarë popujve. Kardinali Bertone, në homelinë e Meshës, me të cilën përfundoi dita e parë, nënvizoi se prej 60 vjetësh, Karitasi e mbarti konkretisht këtë impenjim dashurie, frymëzuar nga dashuria e Krishtit për njeriun. Ndërmjet veprimtarive të kohëve të fundit, kardinali Bertone kujtoi ndihmën që Karitasi i dha Haitit e Japonisë, dëmtuar rëndë nga fatkeqësitë e natyrës; Bregut të Fildishtë, gjakosur nga lufta civile, si dhe të gjitha vendeve, që kalojnë situata të ngjashme konflikti e mjerimi. Dashuria për të afërmin, që i ka rrënjët në dashurinë për Zotin– tha Hirësia e Tij – është detyrë e çdo besimtari dhe e gjithë bashkësisë kishtare, në përpjekjen për ndërtimin e një familjeje të vetme njerëzore. Por veprimtaria bamirëse - shtoi akoma kardinali Bertone – që kufizohet vetëm në ndihmë humanitare, shkëputur nga identiteti i krishterë, nuk është në lartësinë e dinjitetit të njeriut. Thënë me dy fjalë, Kisha jo vetëm që duhet të bëjë mirë, por duhet ta bëjë si Krishti.
T’u shërbejmë të vafërve, kjo është detyra jonë e dorës së parë, tha në sesionin e hapjes kryetari i Karitasit Ndërkombëtar, kardinali Rodriguez Maradiaga. Janë ata që, në rastet e emergjencave, kërkojnë ndihmë, drejtësi, respekt, mbrojtje të dinjitetit të tyre njerëzor. E kjo është një nga mënyrat për të qenë dëshmitarë të Zotit, në zemër të botës. Modeli ynë është ai i Samaritanit të Mirë, vijoi kardinali Maradiaga, i cili e përfundoi fjalimin e hapjes me fjalët simbolike: “Atje ku janë bamirësia e dashuria, atje është edhe Zoti!”.
Por, mbi domethënien e Asamablesë së 19-të të përgjithshme të Karitasit Ndërkombëtar, të dëgjojmë kardinalin Robert Sarah, kryetar i Këshillit Papnor ‘Cor Unum’:

Përgjigje: - Është e sigurtë që papët patën një vizion: praninë e Kishës, për të shprehur mëshirën, dashurinë e Zotit për të varfërit, përmes organizimit të kësaj mëshire, të kësaj dashurie, në një strukturë, si Karitasi Ndërkombëtar. Unë mendoj se Karitasi është mjet shumë i nevojshëm për Kishën, por për të mbetur mjet i Kishës, duhet punuar që ta kufizojë sa më shumë varfërinë e mjerimin. Në se i bëjmë punët me përvujtëri, me ndihmën e hirit hyjnor, Karitasi do të luante një rol jashtëzakonisht të rëndësishëm në përpjekjen për zhvillimin e në luftën kundër varfërisë.

Pyetje: - “Një familje e vetme”: është kjo, njëra nga temat e Asamblesë së 19-të të përgjithme. Duket si utopi krijimi i një familjeje të vetme në botën e sotme….

Përgjigje: - Kisha është familje, familje e Zotit. Vërtet nuk është e lehtë të realizohet kjo në gjirin e njerëzimit: jetojmë një çast përçarjesh, luftërash, ndeshjesh ndërmjet të pasurve e të varfërve. Por duhet të punojmë, për ta krijuar këtë familje të Zotit, e Karitasi do të mund të ishte një vend për krijimin e saj. Unë besoj se do t’ia dalë mbanësh një pune të tillë, kaq të pakufishme.







All the contents on this site are copyrighted ©.