2011-05-23 19:45:19

Shqipëri: KQZ rifillon mbledhjen, nis debati


Vazhdojnë debatet në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve mes anëtarëve dhe përfaqësuesve ligjore të partive politike. Në mbledhjen e nisur prej orës 17:00 po diskutohet lidhur me projekt- aktin e paraqitur për miratim sot nga KQZ-ja, në të cilin parashikohet të miratohet tabela përmbledhëse e njësisë bashkiake nr.5 dhe më pas shpallja e rezultatit për bashkinë e Tiranës.
Pra, Komisioni Qendror akoma vazhdon mbledhjen, pas së cilës duhet të shpallë fitimtarin për kryetar te bashkisë së Tiranës ose ish-ministrin e qeverisë Berisha, ose kryetarin aktual, socialistin Edi Rama. Sipas deklaratave të sotme jo zyrtare, Basha e lë pas Ramën me 78 vota, të numëruara pasi u vendos që të merreshin parasysh edhe votat e hedhura në kuti të gabuara.

Dita e sotme mbylli një proces tejet të vështirë zgjedhor për Tiranën, shoqëruar me tension e protesta, të cilat mblodhën në kryeqytetin e Shqipërisë përkrahësit e socialistëve nga i gjithë vendi. Pati edhe ndeshje me policinë, në ditët e para të javës së kaluar. Fundi i zgjedhjeve të 8 majit ia dha fitoren Edi Ramës, me një diferencë prej 10 votash.

Pavarësisht nga protestat e socialistëve, Komisioni Qendror Zgjedhor vendosi të rinumërojë votat, duke përfshirë edhe ato, që ishin hedhur gabimisht në kuti të tjera. Java u karakterizua nga një ecejake jo e vogël ambasadorësh e përfaqësuesish ndërkombëtarë, e fundit prej të cilave qe takimi i sotëm ndërmjet kreut të Komisionit, Ristani dhe atij të misionit evropian ODIHR, Stounstrit. “Të respektohet ligji” u tha nga të gjitha palët, por i njëjti ligj interpretohet ndryshe nga njëra palë tek tjetra. Raporti përfundimtar i vëzhguesve ndërkombëtarë do të dalë pas dy muajsh, por që tani, ata kanë deklaruar se nuk u ka pëlqyer loja e politikës shqiptare.







All the contents on this site are copyrighted ©.