2011-05-23 14:17:11

Më 23 maj kalendari kishtar përkujton Shën Gjon Pagëzuesin de Rossi


Gjoni lindi më 22 shkurt 1698 në Voltagjio të Gjenovës, prej nga u largua që në moshën 13 vjeçare, për të shkuar në Romë, ku një xhaxha i tij ishte meshtar e kanonik i Kishës së Shën Marisë në Kosmedin. Në Romë ndoqi liceun e jezuitëve pranë Kolegjit Romak, ku edhe vendosi të bëhej meshtar. Në këtë periudhë u godit për herë të parë nga epilepsia, sëmundje që nuk iu nda gjithë jetën.
U shugurua meshtar më 8 mars 1721 e që atëherë iu kushtua me zell të jashtëzakonshëm apostullimit ndërmjet studentëve të varfër e njerëzve të braktisur, të cilin e kishte nisur që kur ishte nxënës. Nga ky apostullim lindi ‘Bashkimi i përshpirtshëm i priftërinjve shekullarë të Shën Galës’, sipas emrit të strehës mashkullore drejtuar prej tij. Pas kësaj Gjoni u përpoq të hapte edhe një strehë tjetër femërore. Ia arriti qëllimit. Streha e re u quajt me emrin e Shën Luigj Gonzagës, për të cilin kishte devocion të veçantë.
Nuk kishte lindur për t’u bërë prijës. I mjaftonte të bindej e të punonte me të gjitha forcat, pa u ankuar asnjëherë, pa komanduar kurrë, pa e shkarkuar barrën e punës së vet mbi kurrizin e të tjerëve. I zgjedhur kanonik i Kishës së Shën Marisë në Kozmedin, u shkarkua nga detyra e drejtuesit të korit, për t’iu kushtuar më lirisht misionit të tij apostolik.
Në muajt e fundit të jetës sëmundja e epilepsisë iu rëndua aq, sa u bë për të Kalvar i vërtetë. E ai iu ngjit kalvarit të jetës së vet, duke pasur gjithnjë parasysh Jezusin e Kryqëzuar. Vdiq më 23 maj 1764. U shpall Shenjt nga Leoni XIII më 8 dhjetor 1881.







All the contents on this site are copyrighted ©.