2011-05-23 18:23:36

Kryetari i Parlamentit Italian Fini priti në takim homologun kosovar Krasniqi


Kryetari i Parlamentit Italian, z. Gianfranco Fini priti sot në Montecitorio në Romë kryetarin e Parlamentit të Kosovës z. Jakup Krasniqi me delegacionin shoqërues nga nënkryetarët e Kuvendit, Xhavit Haliti e Glauk Konjufca dhe ambasadori i Republikës së Kosovës në Romë, zoti Albert Prenkaj. Kryetari i Parlamentit Italian, Gianfranco Fini, theksoi se në parlamentin italian ka pasur gjithmonë përkrahje për Kosovën. “Ne kemi kontribuar në NATO dhe e kemi njohur Kosovën me një përkrahje shumë të gjerë në parlament”, theksoi Fini. Ai vlerësoi se kjo vizitë është shumë e qëlluar dhe do t’i kontribuojë thellimit të marrëdhënieve ndërmjet dy parlamenteve dhe vendeve . Gianfranco Fini theksoi se parlamenti i Italisë i kushton rëndësi të madhe bashkëpunimit të Kosovës me vendet e rajonit dhe në këtë aspekt, ai vlerësoi rëndësinë e dialogut të Kosovës me Serbinë.
Duke folur për situatën që Kosova ka kaluar në gjashtëmujorin e fundit, Fini theksoi se për Kosovën dhe institucionet e saj reformat janë më se të nevojshme, të cilat do të ndihmojnë në procesin e integrimeve evropiane.
Fini, gjithashtu u interesua edhe për zhvillimin ekonomik të Kosovës.
Përveç pjesës zyrtare, pjesa tjetër e takimit u zhvillua në një drekë pune, gjatë të cilës u ngritën çështje të ndryshme.
Krasniqi falënderoi z. Finin për pritjen miqësore dhe për kontributin që Italia ka dhënë për Kosovën që nga angazhimet e saj në forcat ndërhyrëse të NATO-s, në misionet e KFOR-it e të EULEX-it, njohjen e hershme të pavarësisë së Kosovës. Me qëllim të njohjes nga afër me zhvillimet në Kosovës, kryetari Krasniqi e ftoi z. Fini për një vizitë zyrtare në Kosovë, të cilën ai e pranoi dhe shprehu gatishmërinë që këtë ta realizojë në një kohë të përshtatshme për të.Më tej, Krasniqi e njoftoi mikpritësin për zhvillimet aktuale në Kosovë, për zgjedhjet e dhjetorit të vitit të kaluar, për zgjedhjen e presidentit e të qeverisë, konsolidimin dhe funksionalizimin e institucioneve demokratike dhe integrimin e komuniteteve. Një theks të veçantë, Krasniqi e vuri te problemet në veri të Kosovës, si pasojë e obstruksioneve të Beogradit. Rreth kësaj çështjeje, ai foli edhe për rolin e ambasadorit italian në Prishtinë Giffoni, si përfaqësues evropian, i cili me angazhimin e tij është duke ndikuar në uljen e tensioneve në këtë pjesë të Kosovës.
Në vazhdim të takimit, Krasniqi foli për fqinjësinë e mirë me shtetet kufitare, përveç me Serbinë, e cila, sipas tij, ende nuk është e gatshme që të vendos marrëdhënie me Kosovën. Ai foli edhe për bisedimet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.
Nga kryetari i Parlamentit Italian, kryetari i Kuvendit të Kosovës kërkoi ndihmë për njohjen e gjerë ndërkombëtare që i duhet Kosovës, sidomos në vendet ku Italia ka ndikim, dhe paraqiti pengesën që i vjen Kosovës nga mosnjohja prej të gjitha vendeve të BE-së. Krasniqi, gjithashtu, kërkoi nga shteti italian që të ushtrojë ndikimin e tij në trajtimin e Kosovës njësoj sikurse shtetet tjera të rajonit në aspektin e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe në takimet rajonale e ndërkombëtare. Kërkoi mbështetje edhe në procesin e integrimit evropian, krijimin e marrëdhënieve kontraktuale ndërmjet BE-së dhe Kosovës, anëtarësimin e Kosovës në Unionin Ndërparlamentar, si dhe rikthimin e marrëveshjes për masat preferenciale tregtare.
Nevojë tjetër që paraqiti në këtë takim kryetari i Parlamentit të Prishtinës Krasniqi, ishte edhe procesi i liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.
Duke folur për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Italisë, kreu legjislativit në mënyrë të veçantë foli për bashkëpunimin ndërmjet dy parlamenteve. Me qëllim të harmonizimit të legjislacionit të Kosovës me standardet evropiane, ai shprehu nevojën për shpeshtimin e kontakteve dhe thellimit të marrëdhënieve ndërmjet dy parlamenteve, nëpërmjet të shkëmbimit të vizitave nga ana e komisioneve parlamentare dhe të administratës, nënshkrimit të një memorandumi ndërmjet të dy sekretarëve të parlamentareve për bashkëpunim administrativ etj.
Të dy kryetarët ranë dakord për formimin e grupeve parlamentare të miqësisë në të dy parlamentet dhe u dakorduan që rreth kësaj të fillojnë menjëherë procedurat.
Një tjetër çështje që Krasniqi ngriti në këtë takim, ishte edhe nevoja për shtimin e investimeve italiane në Kosovë, ku dita-ditës po krijohen kushte të favorshme për investime të huaja. U shtrua nevoja, gjithashtu, edhe për nënshkrimin e një sërë marrëveshjeve dypalëshe.
Në takim kryetari Krasniqi foli edhe për raportin e Dick Martyt dhe për dëmet që ai i ka shkaktuar Kosovës në arenën ndërkombëtare. Ai sqaroi pastërtinë e luftës çlirimtare në Kosovë dhe të pavërtetat e cekura në këtë raport, duke shprehur, njëkohësisht, gatishmërinë e institucioneve të Kosovës për një hetim të mirëfilltë rreth çështjeve të ngritura në këtë raport, në mënyrë që kjo çështje të mbyllet sa më parë që është e mundur.
Në vazhdim të vizitës në Itali, delegacioni i Kuvendit të Kosovës do të ketë takime me autoritete të tjera italiane, njofton zyra Kuvendit të Kosovës për media dhe marrëdhënie me publikun.







All the contents on this site are copyrighted ©.