2011-05-23 17:14:23

Kardinali Turkson bën thirrje të mos hidhen bomba kundër civilëve në Libi


Në ditën kur Evropa vendos sanksione të reja kundër Libisë dhe Sirisë, presidenti i Këshillit Papnor për Drejtësinë e Paqen, kardinali Peter Turkson, në një intervistë të gjatë për agjensinë italiane të lajmeve ANSA, bën thirrje të ndalen bombat e NATO-s, që shkaktojnë viktima ndër civilët në Libi. Ai uron që në të gjithë Magrebin të vendoset demokracia e t’u garantohen të drejtat e njeriut çdo qytetari, por, nga ana tjetër, nuk e fsheh shqetësimin për prirjet fondamentaliste islamike jashtë çdo kontrolli, të cilat shpesh kalojnë në sulme të dhunshme kundër të krishterëve, siç ndodhi në Egjipt.
Arsyet e bombardimeve të NATO-s, shpjegon kardinali, nuk janë të qarta e nuk përkojnë me natyrën e organizatës. Sipas tij, lufta duhet të marrë fund menjëherë. “Duket – nënvizon presidenti i dikasterit “social” vatikanas – se gabimi i Gedafit ishte bombardimi i popullit të vet, por kjo ndodhi në fillim. Tani, që kur e kanë mbyllur hapësirën ajrore, këto bombardime nuk ekzistojnë më”.
Përsa i përket situatës në Egjipt, kardinali Turkson thekson se ndryshimet aktuale, pas fundit të regjimit të Mubarakut, nuk është e thënë të jenë në favor të të krishterëve. Duhet të presim për të parë nëse vërtet në vendet e Magrebit do të vendoset demokracia. Tani për tani, prirjet fondamentaliste janë shumë të forta. Në përgjithësi, sqaron prelati, qendra e këtyre lëvizjeve premton të respektojë të drejtat e të gjithëve, por nuk arrin të kontrollojë se ç’ndodh në degët e periferisë.







All the contents on this site are copyrighted ©.