2011-05-23 17:13:40

Historia e Zotit në historinë e njerëzimit. Papa në lutjen e Mbretëreshës Qiellore kërkon mbrojtjen e jetës e asgjësimin e çdo forme të dhunës.


Impenjimi për të kumtuar Krishtin, “rruga, e vërteta, jeta”, është detyrë kryesore e Kishës. E pohoi dje Papa në lutjen e Mbretëreshës Qiellore, duke marrë shkas nga fragmenti i Ungjillit, në të cilin Jezusi i njofton dishepujt se së shpejti do të ngjitet kah shtëpia e Atit Qiellor.

Beso në Zotin e beso në Krishtin! Ky urdhërim i dyfishtë, nga faqja e Ungjillit të djeshëm, është një akt i vetëm feje. Është bashkim i plotë me shëlbimin, kryer nga Hyji Atë, përmes Birit të Tij të Vetëm. Me Besëlidhjen e Re - pohoi Papa – Ati nuk është më i papashëm, i padukshëm. Na e tregoi fytyrën e Tij, gjë që e pohon vetë Jezusi, duke iu drejtuar Filipit Apostull: “Kush më ka parë mua, ka parë edhe Atin”:
“Biri i Hyjit, me mishërimin, vdekjen e ngjalljen e tij, na çliroi nga skllavëria e mëkatit, për të na dhuruar lirinë e bijve të Hyjit e na bëri ta njohim fytyrën e Zotit, që është dashuri . Ati mund të shihet, mund ta shohim në Krishtin!”.
Vetëm duke besuar në Krishtin, duke mbetur gjithnjë të bashkuar me Të, dishepujt mund të vijojnë veprën e Tij të përhershme në histori. “Me të vërtetë, me të vërtetë po ju them – na kujton Zoti – kush beson në mua, edhe ai do të kryejë veprat, që kryej unë:
“Të besosh në Jezusin, do të thotë ta ndjekësh pas ditë për ditë, në të gjitha veprimet që bëjmë gjatë ditës sonë. Duhet të shkrihemi në misterin e Zotit, i cili, dalngadalë, ndërton historinë e vet, në historinë e madhe të njerëzimit. Bëhet njeri, por në mënyrë të tillë, që të mbetet fare i panjohur nga bashkëkohësit, nga forcat e pushtetshme të historisë”.
Jezusi i fton njerëzit të bëhen dishepujt e Tij e u troket në zemra, për t’ua ndriçuar jetën me dritën e Ungjillit:
Pëson e vdes e, si i Ngjallur, dëshiron të arrijë në zemër të njerëzimit vetëm përmes fesë së dishepujve të vet, të cilëve u dëftohet. Ai vijon e vijon të trokasë në zemrat tona e, në se e përbujmë, dalëngadalë, sytë tanë hapen për ta parë”.
Impenjimi për ta kumtuar Krishtin “rruga, e vërteta, jeta” – kujtoi Ati i Shenjtë – përbën detyrën e parë e kryesore të Kishës:
“Për të krishterët, për secilin prej nesh, Rruga e Atit është të ndjekim Jezusin, fjalën e tij të së Vërtetës, ta pranojmë dhuratën e Jetës së Tij. Ta bëjmë, prandaj, tonën ftesën e Shën Bonaventurës: “Hapi, pra, sytë, e edhe veshët e shpirtit, hapi gojën e zemrën, që të mund ta shikosh, ta dëgjosh, ta lavdërosh, ta duash, ta nderosh Zotin tënd, në të gjitha krijesat”.
Pas lutjes së Mbretëreshës Qiellore, Ati i Shenjtë kujtoi se dje, në Brazil, shpallej e Lume motra Dulçe Lopez Pontes, që la pas një vazhdë të zjarrtë drite e mirësie, duke e shkrirë gjithë jetën në shërbim të njerëzve më të humbur të shoqërisë, aq sa të quhej “Nënë Tereza braziliane”. Papa u bashkua edhe me gëzimin e Kishës së Portugalisë për një lumnim tjetër, kremtuar në Lisbonë, ku u lartua në nderimet e elterit Nënë Maria Kjara e Krishtit Fëmijë, themeluese e Kongregatës së Motrave Françeskane të Zojës së Papërlyer, në shërbim të spitaleve.
Duke i përshëndetur shtegtarët në gjuhën angleze, Benedikti XVI i nxiti të gjithë të krishterët ta festojnë Ditën e veçantë kushtuar paqes, me rastin e Lutjes ekumenike për paqen, kremtuar në Kingston të Xhamajkës, nga Këshilli Ekumenik i Kishave. Ati i Shenjtë uroi që të gjithë të krishterët e botës të impenjohen për zhdukjen e dhunës në familje, në shoqëri e në bashkësinë ndërkombëtare. Përshëndeti, pastaj, në veçanti, grupin e madh të të rinjve të sapokrezmuar të dioqezës së Gjenovës, kryesuar nga kardinali Anxhelo Banjasko dhe grupin masiv të Lëvizjes në Mbrojtje të Jetës:
“Miq të dashur, ju përgëzoj posaçërisht për impenjimin, me të cilin ndihmoni gratë, që kalojnë shtatzani të vështira dhe të fejuarit e bashkëshortët, që dëshirojnë ta kurorëzojnë martesën me frytin e fëmijëve; kështu ju punoni konkretisht për kulturën e jetës. I lutem Zotit që, falë edhe kontributit tuaj, mbrojtja e jetës të bëhet gjithnjë burim bashkimi në Itali e në çdo vend të botës”.
Në përfundim, Papa u dha zemër të sëmurëve dhe vullnetarëve të pranishëm, me rastin e Javës kombëtare të sklerozës multiple dhe bekoi fëmijët që, duke i kapërcyer pasojat e sëmundjes, bëhen dëshmitarë të paqes. Përfaqësuesit e tyre ishin aty, në Sheshin e Shën Pjetrit, të shoqëruar nga Unitalsi.







All the contents on this site are copyrighted ©.