Benedikti XVI: themelet e një shoqërie të pajtuar e paqësore tek rrënjët e krishtera që
i bashkojnë popujt evropianë.
Interesat ekonomike nuk mjaftojnë, për t’i dhënë një bazë të shëndoshë Evropës së
re. Kontineti i Vjetër duhet të ngrihet mbi rrënjët e veta të krishtera: këtë pohoi
Papa duke pritur, sot paradite, në dy audienca të veçanta, delegacionet e Bullgarisë
dhe të ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë, ardhur si çdo vit në Romë, me rastin
e festës së Shenjtorëve Çirili e Metodi, që do të kremtohet nesër.
“Pionierë
të ndritur e të merituar të Ungjllëzimit në Evropë”, Çirili e Metodi, nderohen si
nga Lindja, ashtu edhe nga perëndimi. Dëshmia dhe mësimi i tyre - vërejti Papa - duke
iu drejtuar delegacionit maqedonas, kryesuar nga presidenti George Ivanov - mbeten
gjithnjë aktuale edhe për ata, që janë thirrur sot të qeverisin fatet e kombeve. Në
Planin shëlbues të Zotit, popujt mund të rigjejnë themelet e forta e të sigurta, mbi
të cilat mund të ngrenë qytetërime e shoqëri të përshkuara tejembanë nga shpirti i
pajtimit e i bashkëjetesës paqësore: “Nuk mund të ketë unitet të vërtetë
pa respekt për dinjitetin e çdo njeriu e për të drejtat e tij të pacënueshme”. Ndonëse
ndërmjet vështirësive të panumërta, Çirili e Metodi, të dërguar në gjirin e popujve
sllavë, e kishin kuptuar mirë se Ungjilli i Krishtit është i aftë të mbushë përplot
me dritë çdo skaj, skutë, mjedis e përmasë të përvojës njerëzore: “Fjala
e Zotit fton vazhdimisht për kthimin e zemrave, që çdo vendim e çdo rrugë e zgjedhur,
të pastrohet nga interesat egoistike; e pikërisht nga kjo kthesë e vazhdueshme e zemrave
kah Zoti, mund të krijohen mundësitë për lindjen e njerëzimit të ri”. Popujve
evropianë, që në këto vite u hapen perspektiva të reja bashkëpunimi – shtoi më pas
Ati i Shenjtë, duke pritur delegacionin bullgar, kryesuar nga Kryetarja e Parlamentit,
Tsetska Tsacheva - këta dy shenjtorë të mëdhenj u kujtojnë se uniteti i tyre do të
jetë më i fuqishëm, në se bazohet mbi rrënjët e përbashkëta të krishtera, element
kryesor e cilësor, sepse është feja e krishterë ajo, që e formoi kulturën e Kontinentit
të Vjetër dhe u gërshetua në mënyrë të pazgjidhshme me historinë e tij. Prej këndej,
urimi që Evropa të rritet edhe në pëmasën shpirtërore, duke ecur mbi gjurmët më të
mira të historisë së vet. Uniteti i Kontinentit, që vijon të fitojë pjekurinë në vetëdijen
e banorëve të tij e të përcaktohet më qartë edhe në planin politik, përfaqëson – shtoi
Ati i Shenjtë – një perspektivë të madhe shprese. Prej këndej, ftesa: “Për
ta ngritur mbi baza të forta Evropën e re, nuk mjaftojnë interesat ekonomike, por
është e nevojshme edhe mbështetja mbi vlerat e vërteta, që bazohen në ligjin moral
universal, të shkruar në zemrën e çdo njeriu”.