2011-05-21 19:06:44

Shenjtorët e javës 22-29 maj


Sot, në të dielën e pestë të Pashkëve, Kisha Katolike kujton edhe shën Ritën nga Kasha, rregulltare agostiniane dhe shën Julien, virgjër e martire. O Zot Jezus, sa herë shqetësimi i zemrës nuk na le ta shprehim thellë besimin tonë në Ty, që je udha, e vërteta e jeta. Mbushi hapësirat boshe të vullnetit tonë me dëshirën për ta njohur praninë tënde brenda nesh, tek të tjerët e tek ngjarjet që na rrethojnë.

Nesër, më 23 maj, kremtojmë festën liturgjike të shën Gjon Baptist de Rosi, meshtar dhe të shën Efebit Deziderio. Këta shenjtorë na mësojnë se në shkollën e Jezusit mësojmë të duam deri në flijimin e vetvetes e provojmë përqafimin e përmallshëm të dashurisë së Atit e të Birit.

Të martën, më 24 maj, Kisha Katolike kremton Zojën Ndihmëtare. Asaj i drejtohen besimtarët me lutje e përgjërime, që të ndërhyjë pranë Atit Qiellor për hallet e dertet e secilit. Kjo Zojë nderohet në shumë treva shqiptare, ku Nënës së Krishtit i janë kushtuar kisha të lashta e të reja. Po në këtë ditë, përkujtohet edhe shën Vinçenc Lerini e besimtarët katolike luten për Kishën në Kinë.

Më 25 maj, ditën e mërkurë, bie festa liturgjike e shën Bedës, meshtar benedektin e Doktor i Kishës, e shën Marisë Madalenë de Paci, virgjër dhe e shën Gregorit VII, papë. Ungjilli i ditës u tërheq vëmendjen të krishterëve që shkëputen nga Krishti. Nuk janë më të zotë për asgjë. Nëse qëndrojmë të bashkuar me Krishtin, edhe sprovat më të rënda të jetës japin fryte të mrekullueshme.

Shën Filip Neri, meshtar, kremtohet të enjten, më 26 maj. Shenjti i oratoreve të Kishës, ku gjithnjë janë mbledhur fëmijët për të mësuar e për t’u argëtuar, na jep shembullin e jetës për çdo meshtar, që ka për detyrë punën delikate të edukimit të brezit të ri të krishterë. Po këtë ditë, përkujtohen shën Eleuteri, papë, shën Lamberti i Vençes dhe shën Simetri, martir.

Ditën e premte, 27 maj, Kisha Katolike kremton festën liturgjike të shën Agustinit, kryeipeshkëv i Kanterburit, si edhe të shën Brunos Restituto. Ata na thonë se nëse na qëllon ta humbasim identitetin e krishterë, duhet të kujtojmë urdhërimin e Jezusit: duajeni njëri-tjetrin, ashtu siç ju kam dashur unë ju, deri në flijimin e jetës.

Të shtunën, përkujtojmë shën Gjermanin, ipeshkëv i Parisit, si edhe shën Emilianin apo Vilin, shën Ubaldeskën e të Lumen Maria Bartolomea Banjezi. Kur shohim shenjtorët, që shpesh martirizohen, nuk mund të mos pyesim: “A është e mundur, që ata, të cilët mbartin mesazhin ungjillor të dashurisë, të urrehehn e të persekutohen? Është shumë e mundur madje! Mjafton të kujtojmë Krishtin. Atij i përkasim e jo botës.

E diela e gjashtë e Pashkëve, më 29 maj, na kujton edhe shenjtorët martirë anauniezë, tre murgj me origjinë nga Kapadokia – Sizini, Martiri dhe Aleksandri – që u dërguan të ungjillëzonin luginat e Trentinos në Itali nga shën Ambrozi. U martirizuan, por nderimi i tyre edhe sot bashkon Kishën e Lindjes me atë të Perëndimit.







All the contents on this site are copyrighted ©.