2011-05-21 19:09:04

Pakistan: bashkësia e krishterë, në shënjestër të fondamentalistëve, pas vrasjes së Bin Laden.


Të krishterët pakistanezë janë vënë në shënjestër të fanatikëve islamikë, pas vrasjes së Osama Bin Laden. Sipas agjencisë AziaNjuz, alarmin e jep atë Akram Javed Gill, famullitar i Abotabadit, qyteza ku u vra kreu i Al Kaedes. Meshtari pohon se jo vetëm bashkësia katolike, por edhe bashkësitë e tjera të krishtera, janë pushtuar nga frika aq, sa nuk guxojnë të dalin nga shtëpitë, ndërsa meshtarët e tyre janë detyruar të heqin dorë deri nga vizitat baritore. Menjëherë pas vrasjes së terroristit, në kishën famullitare të Shën Pjetrit, u organizua një takim me pjesëmarrje masive, ku u përcaktuan masat e sigurimit dhe strategia për vijimin e jetës materiale e shpirtërore. Pastaj, mbyllja në shtëpi. Edhe famullitari pohon se nuk ka guxuar të dalë nga streha për disa ditë me radhë, ndërsa zilja e telefonit të tij nuk pushon për asnjë çast: 160 besimtarët katolikë kërkojnë këshilla e mbështetje, të bindur se mund të kthehen nga çasti në çast në viktima të urrejtjes e të hakmarrjes së fondamentalistëve. Ndonëse vendet e kultit janë vënë nën kontrollin e rreptë të policisë, pjesëmarrja në Meshë është tepër e pakët, ndërsa familjet e krishtera, që banonin rreth vilës së Bin Ladenit, i kanë braktisur shtëpitë e tyre. Popullsia është e bindur se sa herë që amerikanët thonë ose bëjnë ndonjë gjë, të krishterët kthehen në shenjë pushke për integralistët. Situata mbetet kritike, prandaj besimtarët luten e agjërojnë për paqen në zonë, por pa guxuar të mblidhen as për të lexuar së bashku Biblën.










All the contents on this site are copyrighted ©.