2011-05-21 19:09:20

Imzot Ficxherald për takimet milaneze të “Katedrës së dialogut” për marrëdhëniet e krishterimit me islamin.


Filluan këtë javë e do të vijojnë deri më 30 maj, takimet e “Katedrës së Dialogut”, organizuar nga Shërbimi për ekumenizmin dhe dialogun i kryedioqezës së Milanos, në bashkëpunim me qendrën kulturore protestante, bashkësinë e Shën Egjidit dhe Fondacionin kulturor Shën Fedele.RealAudioMP3
“Të afërt e të largët. Kristianë e myslimanë ballë për ballë” është tema e ‘Katedrës së Dialogut’, organizuar nga kryedioqeza e Milanos, në bashkëpunim me qendra e bashkësi të tjera. Në tre takime, kryesuar nga islamisti Paolo Branka i Universitetit Katolik, u fol kryesisht për bashkëpunimin fetar, përtej barrikadave ideologjike. Në takimin e parë, imzot Ficxherald, nunc apostolik në Egjipt, ish-kryetar i Këshillit Papnor për dialogun ndërfetar, preku temën e marrëdhënieve ndërmjet të krishterëve e myslimanëve, duke u nisur nga përvoja e kohëve të fundit, thellësisht tragjike, që përjetoi bashkësia e krishterë egjiptiane, e cila vijon të vajtojë njerëit e saj, që humbën jetën gjatë konflikteve ndërfetare. Imzot Ficxherald shpjegoi se, edhe në Egjipt, është e domosdoshme të rifillojë dialogu:
“Përvojë e bukur ishte takimi i Kairos, ku dialoguan studentë universitarë të krishterë e myslimanë, që u mblodhën me shumë vështirësi. Por, si u mblodhën, gjetën gjuhën e përbashkët, miqësore, duke e kapërcyer frikën e takimit. Rezultati ishte vërtet i kënaqshëm, ndonëse takime të kësaj natyre vijojnë të jenë të jashtëzakonshme: duhen shumëfishuar, prandaj, e në të gjitha nivelet”.
Nga përvoja e fituar në një atmosferë tensioni, buron edhe ftesa për të vijuar rrugën e ballafaqimit e të dialogut. Po ç’është themelore në këtë rrugë?
Besoj se njohja e tjetrit: jo njohja e cekët, por e thellë e fesë, si e asaj të krishterë, ashtu edhe asaj islamike. Besoj se kjo mund të ushqejë më shumë respekt ndërmjet besimtarëve të të dy feve, e edhe bashkëpunim të mirëfilltë”.
Imzot Ficxherald kujtoi, pastaj, shpirtin që frymëzoi Takimet e Asizit, organizuar nga i Lumi Gjon Pali II, si dhe Lutjen e madhe botërore për paqen, ngjarje të mëdha, në të cilat prelati mori pjesë pak para se të vihej në krye të Këshillit Papnor për Dialogun Ndërfetar.







All the contents on this site are copyrighted ©.