Benedikti XVI ekuipazhit të Stacionit kozmik ndërkombëtar: toka atje poshtë është
një e luftërat janë pa kuptim.
(21.05.2011 RV)“Disa çaste dialogu të jashtëzakonshëm, me ju, që përfaqësoni
pikën më të përparuar të njerëzimit”. Janë fjalët e Benediktit XVI gjatë lidhjes historike
të drejtpërdrejtë nga Vatikani me astronautët e Stacionit kozmik ndërkombëtar. Zgjati rreth 20
minuta, biseda e përzemërt, e jashtëzakonshme, gjatë së cilës Papa u drejtoi pesë
pyetje anëtarëve të ekuipazhit, duke dëgjuar edhe përgjigjet e tyre. Jemi në qendër
të një operacioni shkencor-teknologjik, por mbi të gjitha, të një çasti tejet emocionant.
Fjalët, që nisen nga Stacioni kozmik e fjalët, nga salla Fokoni, në Vatikan, ku Papa
është ulur para televizorit, takohen. Flasin drejtori i Agjencisë Kozmike Evropiane,
gjermani Thomas Reiter dhe ai i Agjencisë Kozmike Italiane, Enrico Saggese. Më pas,
kreu i misionit, rusi Dimitri Kontradieff, që shqipton fjalët: “Mirë se erdhët në
bord, Shenjtëria Juaj!”. Papa dëgjon e pastaj merr fjalën: “Humanity is
experiencing a period of extremely rapid progress in the fields of scientific knowledge
and technical applications…” Njerëzimi, thotë Papa në fillim të dialogut,
duke përshëndetur në gjuhën angleze, jeton në një periudhë progresi, kur njohuritë
shkencore dhe zbatimet teknike ecin përpara me shpejtësi rrufeje. Në një farë mënyre,
ju jeni pika më e përparuar e njerëzimit, që zbulon hapësira të reja e mundësi të
reja për ardhmërinë tonë, duke i kapërcyer kufijtë e përvojës së përditshme. Por
Papa, që flet në hapësirë e që ripohon se njeriu duhet të jetë në qendër të të gjitha
sendeve, është edhe Papa që thotë: “Dialogoj me ju, sepse jam kureshtar të njoh përvojën
dhe reflektimet tuaja”. E është Papa, që nuk mban vetëm fjalime, por bën edhe pyetje: “…how
science can contribute to the cause of peace?”… Si mund të kontribuojë
shkenca për kauzën e paqes? Pyet Benedikti XVI, duke reflektuar sesa pa kuptim do
të duket, duke e parë tokën nga larg, mendimi se njerëzit atje poshtë vriten njëri
me tjetrin. E, lidhur me këtë, vërejtja e parë personale: Ati i Shenjtë kujton se
gruaja e njërit nga astronautët, e amerikanit Mark Kelly, e plagosur rëndë gjatë një
sulmi, vuan në një krevat spitali. Papa uron ta rifitojë përsëri e plotësisht shëndetin.
I përgjigjet vetë astronauti: “We fly over most of the world and you don’t
see borders, but at the same time we realize that people fight with each other and
there is a lot of violence in this world and it’s really an unfortunate thing”. “Që
këtu ku jemi, nuk i dallojmë kufijtë, por e dimë se ndërmjet tyre e për to luftohet;
luftohet në Lindjen e Mesme e në Veri të Afrikës. Shumë nga luftërat bëhen për energjinë,
e ne këtu jetojmë në një situatë, në të cilën energjia nuk mungon. Duhet të kuptojmë
si mund t’i shmangim luftërat”. Papa jo vetëm i dëgjon astronautët, po i shikon
edhe në ekran. Ndërsa ata vetëm e dëgjojnë, pa e shikuar, sepse nuk kanë video. Emocion
të veçantë krijon vonesa prej 5 sekondash e tingullit. Benedikti XVI kujton, më
pas, se ambienti dhe ardhmëria e breznive të reja janë në rrezik serioz, se shkencëtarët
na ftojnë të kemi kujdes e se, në këndvështimin etik, duhet të jemi shumë më të vetëdijshëm
për gjithçka ndodh rreth nesh. E pas kësaj, Papa u drejton një pyetje të drejtpërdrejtë
astronautëve: “Nga pika juaj e jashtëzakonshme e vrojtimit, si ju duket situata në
tokë? A shihni shenja a fenomene, që duhet të na nxisin të jemi më të vëmendshëm?”. “We
can see how indescribably beautiful the planet that we have been given is; but on
the other hand, we can really clearly see how fragile it is”. Përgjigjet
Ron Garan, që thotë se e shikon qartë, prej lart, bukurinë e tokës, por edhe brishtësinë
e saj, posaçërisht atmosferën e saj aq të rrezikuar. Prej andej kuptohet edhe më mirë
se të gjithë, pa asnjë përjashtim, duhet të bashkëpunojmë. Pastaj një pyetje e
mirëpërcaktuar, lidhur me përgjegjësinë e atyre që, duke u kthyer nga një mision në
kozmos, shikohen si heronj e u flasin të gjithëve, posaçërisht të rinjve, që ndikohen
fuqimisht nga përvoja e zbulimeve të tilla: “If we look up, we can see the
rest of the universe, and the rest of the Universe is out there for us to go explore”. Mike
Finchke përgjigjet se njerëzit duhet ta studiojnë e ta zbulojnë universin e se këtë
duhet ta bëjnë së bashku, sepse së bashku jetojnë në të njëjtin Planet. Pastaj
Benedikti XVI kujton medaljen e argjendit, mbi të cilën është skalitur krijimi i njeriut,
i Mikelanxhelos, dhuratë e Papës astronautëve, për ta mbartur në këtë mision E në
ekran shikohet pikërisht medalja, që luhatet, sepse në një hapësirë pa gravitet.
Pastaj, pyetja delikate për Zotin, që Benedikti XVI e bën me urtinë më të madhe:”Kur
punoni në hapësirën pa fund, pyet, a reflektoni ndonjëherë për misterin? A ju ndodh
t’i drejtoni lutjen tuaj Krijuesit? Apo mendoni se është më lehtë të merreni me këto
gjëra pas rikthimit mbi tokë?”: “Our planet, the blue planet, is beautiful.
Blue is the colour of our planet, blue is the colour of the sky, blue is also the
colour of the Italian Air Force, the organization that gave me the opportunity to
then join the Italian Space Agency and the European Space Agency”. Përgjigjet
Roberto Vittori: flet për bukurinë e qiellit e të universit, por edhe për ngjyrën
blu, të Flotës Ajrore Italiane: Pastaj pohon për vete: “I do pray
for me” - “Unë lutem!”. Ngushëllimi i Papës, pastaj, për astronautin
italian, Paolo Nespoli, që kur të kthehet në tokë, nuk do ta gjejë më nënën. Papa
sot takohet e reflekton për probleme themelore me njerëz, që shkenca i ka çuar shumë
larg nga toka. E në sa reflekton, njëherësh me medaljen, edhe flokët e gjata të gruas
së vetme në bord, si dhe një objekt metali, luhaten lirisht, në mungesë të gravitetit,
madje dhe disa nga astronautët, nisin lëvizjet tipike për hapësirat kozmike, duke
krijuar një situatë të këndshme. E Ati i Shenjtë nuk mund të mos vërë buzën në gaz.
Të gjithë e admirojnë guximin tuaj, disiplinën dhe impenjimin, me të cilin ju
u përgatitët për këtë mision, vijon Papa, dhe shton: “Jemi të bindur se frymëzoheni
nga ideale fisnike e se dëshironi t’i vini frytet e kërkimeve tuaja shkencore në shërbim
të mbarë njerëzimit, për të mirën e përgjithshme. Ky bashkëbisedim më jep mundësi
të shpreh admirimin e vlerësimin tim për ju e për të gjithë ata, që bashkëpunojnë
për ta bërë të mundur veprën tuaj e edhe për t’ju dhënë zemër, që ta kryeni me siguri
e sukses. Në përfundim të dialogut, Benedikti XVI i përshëndet kozmonautët, duke
u uruar suksese në misionin e tyre në shërbim të shkencës, të bashkëpunimit ndërkombëtar,
të progresit të vërtetë e të paqes në botë.Do të vijoj t’ju ndjek me mendimin tim
e me lutjen time, shton Ati i Shenjtë, para se t’u japë astronautëve bekimin e tij
krejt të jashtëzakonshëm apostolik, në sa ata vijojnë rrotullimin në hapësirën e pakufishme,
duke u përpjekur që, në ato çaste kur dialogojnë me Atin e Shenjtë, të mos harrojnë
mungesën e gravitetit, që mund t’i shkëpusë papritmas nga një qëndrim i denjë për
këtë çast kaq të pazakontë, mbi të cilin janë ngulur sytë e mbarë njerëzimit, edhe
ai në rrotullim, ashtu si Stacioni kozmik.