2011-05-21 18:59:35

Atë Lombardi: Kina – lutje e bashkim


Të martën, më 24 maj, Kisha Katolike do të lutet për besimtarët katolikë kinezë. Javës së kaluar, Papa Benedikti XVI u drejtoi atyre një letër, me të cilën thekson se në vendin e madh aziatik, akoma nën komunizëm, “ndërsa shtohet numri i atyre, që e pranojnë Krishtin, shumë të tjerë akoma nuk duan ta njohin, e mohojnë, e persekutojnë”. 24 maji është dita kushtuar kujtimit liturgjik të Zojës Ndihmëtare, që nderohet me devocion të madh në Shenjtëroren e Sheshanit në Shangai. Prandaj kjo është edhe dita, që mbarë Kisha mblidhet në një lutje korale me Kishën në Kinë. Këtij argumenti ia kushton komentin e sotëm, zëdhënësi i Selisë së Shenjtë, atë Federiko Lombardi:RealAudioMP3
“Thirrja e re dhe e fuqishme e Papës drejtuar besimtarëve për Ditën e ardhshme të lutjes për Kishën në Kinë, më 24 maj, meriton një reflektim të veçantë, para së gjithash për faktin se është thirrje për lutje. Papa beson në forcën e lutjes e na fton të kemi “besim se, përmes lutjes, mund të bëjmë diçka shumë reale” për atë Kishë.
Para mëse 20 vjetësh, ndërsa ndodhesha në Kinë për disa ditë, pasi kremtova me emocion të madh Eukaristinë me disa bashkëvëllezër në një skutë të shtëpisë së një familjeje, një meshtar i moshuar më bëri në frëngjisht, një pyetje të vetme: “Si është me shëndet Ati i Shenjtë?” Ishin vite pa internet e natyrisht, mediat kineze nuk flisnin për Papën… Në atë çast, gjithë përnjëherë, e kuptova me sa besnikëri e dashuri, katolikët kinezë vazhdonin të jetonin e të luteshin në bashkim shpirtëror me Papën e me Kishën e Romës që prej dhjetra vitesh. U mallëngjeva thellë!
Pikërisht për këtë bashkim e për rëndësinë e tij flet Papa e, këtë na fton edhe ne ta kultivojmë e ta shfaqim, duke iu drejtuar Zotit përmes “Marisë, ndihmë e të krishterëve”, siç nderohet Nëna e Krishtit nga kinezët në shenjtëroren e famshme të Sheshanit në Shangai. Papa thotë se besimtarët kinezë “kanë të drejtë për lutjen tonë, kanë nevojë për lutjen tonë”. Gjendja e sotme në Kishën e Kinës karakterizohet nga vuajtje e presione kundër bashkimit me Selinë e Shën Pjetrit, prandaj duhet të lutemi edhe më shumë”







All the contents on this site are copyrighted ©.