2011-05-20 18:50:35

Me 20 maj kalendari Kishtar përkujton Shën Bernardinin nga Siena.


(20.05.2011 RV)Bernardini lindi në Massa Maritima (Itali) në vitin 1380, në familjen seneze të Albizeskëve. Ishte ende fëmijë, kur humbi prindërit. U rrit në shtëpinë e hallave, që banonin në Sienë, ku pati fatin të merrte një edukatë të vërtetë kristiane. Ndoqi Studion seneze, deri në moshën 22 vjeçare. I mahnitur nga figura e Françeskut të Asizit, zgjodhi rrugën e jetës rregulltare në Urdhërin serafik e nisi të jetonte si vëllezërit e parë të Shenjtit. U bë një nga luftëtarët më të zjarrtë të reformimit së françeskanëve, që u njohën me emrin “Obsevantë”. Mbi majën e një kodre, në Sienë ngriti një kështjellë të vërtetë e njëkohësisht, fidanishte, të françeskanizmit, që njihet edhe sot e kësaj dite me emrin “Observanca”, ku u përgatitën shumë françeskanë shqiptarë. Përhapës i njohur i devocionit për emrin e shenjtë të Jezusit, skaliti monogramin YHS mbi pllaka druri, të cilat ua jepte besimtarëve t’i puthnin, në përfundim të predikimeve. La pas kujtimin e një predikatari të pashoq e me të, edhe predikimet e tij në gjuhën italiane, që asokohe njihej si gjuhë vulgare. E kjo, sepse populli nuk e kuptonte latinishten, në sa françeskanët, në të gjithë shtrirjen e traditës së tyre të lumnueshme, punuan e punojnë për ta bërë Fjalën e Zotit sa më të kuptueshme pikërisht për masat popullore, që i ndoqën me admirim të thellë kudo shkelën. E pra Bernardini nuk i kursente mëkatarët: përkundrazi, i sulmonte me fjalë shumë të ashpra. I dënonte hapur të gjithë ata, që e mohonin Zotin “për një kaptinë hudhër” e sidomos shfrytëzuesit e të varfërve, të cilët i quante “bisha me kthetra, për t’i zhvatur deri në palcë kockat e skamnorëve”. I ashpër, por i drejtë e paqësor, ai punoi deri në vdekje për të përhapur kudo paqen e të mirat e Atit Serafik. Në vitin 1417 u emërua vikar i provinçës toskane dhe u transferua në Fiezole, duke i dhënë një shtytje të fuqishme përpara reformës në vijim, të urdhërit të tij e duke filluar predikimin e jashtzakonshëm nëpër qytetet italiane. Vdiq në Akuila, ku arriti duke dhënë shpirt, për të vijuar një cikël të ri predikimesh. Ishte data 20 maj 1444, kur u nis për qiell. Me që ndeshjet ndërmjet fraksioneve kundërshtare vijuan edhe mbasi dha shpirt, nga trupi i tij, i shtrirë në arkivol, nisi të rridhte gjak e vala e gjakut u ndal vetëm kur banorët e Akuilës i dhanë fund sherreve, duke e përcjellë me paqe, në paqen e amshuar, trupin e Prijësit të Observantëve. Bernardini i Sienës u shpall shenjt vetëm gjashtë vjet pas vdekjes, në Rrëshajët e vitit 1450, nga papa Martini V. Monogrami i tij është HIS- Jezu Krishti!








All the contents on this site are copyrighted ©.