2011-05-20 17:50:24

Benedikti XVI dhe mrekullitë e kozmosit: përtej yjeve, është dashuria e Zotit!


(20.05.2011 RV)Në vigjilje të lidhjes audio-video të Papës me Stacionin kozmik ndërkombëtar, po kujtojmë disa mendime të Benediktit XVI kushtuar bukurisë së gjithësisë. Jo një herë, Papa kujton se qielli nuk është larg nga ne, sepse u krijua nga dashuria e Zotit. RealAudioMP3

Benedikti XVI e sodit qiellin me gëzim e mahnitje, sepse përtej yjeve, shikon dashurinë e Zotit. Ati i Shenjtë e theksoi në mënyrë të veçantë këtë mahnitje, në Meshën për Solemnitetin e Epifanisë 2009, duke cituar vargje nga Komedia Hyjnore e Dantes, për të kujtuar se Zoti është “dashuri, që vë në lëvizje diellin e yjet e tjera”. Kjo, është reflektimi i Papës, do të thotë se yjet, planetet, mbarë universi nuk drejtohen nga një forcë e verbër, nuk i nënshtrohen vetëm evolucionit të materies. E, duke folur Natën e Pashkëve 2011, Papa rikujton edhe një herë:
“Në se njeriu do të ishte prodhim i tillë i rastësishëm i evolucionit, në ndonjë skaj të Universit, atëherë jeta e tij do të ishte fare pa kuptim, madje do të ishte çrregullim i natyrës. Por nuk është kështu: në zanafillë është Arsyeja, Arsyeja krijuese, hyjnore”(Nata e Pashkëve, 23 prill 2011).
E me që është Arsye, shton Papa, ajo krijoi edhe lirinë. Qielli e toka, ripohon Benedikti XVI, nuk janë të pandashëm, por u bashkuan falë Krishtit. Pikërisht përmes ngjitjes së Krishtit në qiell, siguron Papa, njeriu hyri në mënyrë krejt të padëgjuar e të re, në lidhje të ngushta me Zotin: gjeti, tashmë përgjithmonë e jetës, hapësirën e vet në Zotin:
“Qielli’ nuk tregon një vend përmbi yje, por diçka shumë më të ndritur e më të lartë: tregon vetë Krishtin, Vetjen Hyjnore, që e pranon plotësisht e përgjithnjë njerëzimin; Atë, në të cilin Hyji e njeriu janë përgjithmonë të pandashëm e të bërë një gjë e vetme”(Mesha në Kasino, 24 maj 2009).
Qenia e njeriut në Zotin, shton Papa, ky është qielli. E ne i afrohemi qiellit, madje hyjmë në qiell, në atë masë, që i afrohemi Jezusit e bashkohemi me Të. Ja pra pse, të zbulosh mrekullitë e kozmosit, është edhe një himn falënderimi drejtuar Krijuesit, për bukurinë e Krijesës. Fjalë shumë domethënëse këto, duke pasur parasysh se Ati i Shenjtë i shqipton në fillim të Vitit Ndërkombëtar kushtuar Astronomisë:
“Në se qiejtë, sipas fjalëve të bukura të Psalmistit “rrëfejnë lumninë e Hyjit”, edhe ligjet e natyrës, që në rrjedhë shekujsh, shumë burra e gra të shkencës na ndihmuan t’i kuptojmë më mirë, janë një nxitje e madhe për të kundruar me mirënjohje të thellë veprat e Zotit”(Engjëlli i Tënzot, 21 dhjetor 2008).
E, duke cituar fjalët thellësisht prekëse, shkruar në muret e një gulagu apo kampi sovjetik përqendrimi nga Atë Pavel Florenskij, Papa na fton ta sodisim shpesh qiellin, sepse në kaltërsitë e tij të pafundme ditën, e në pafundësinë yjore natën, mund të nisim ta shijojmë jetën hyjnore që tani, në sa jemi ende në shtigjet e rrëpirta të tokës:“Soditini sa më shpesh yjet. Kur ju rëndon shpirti e zemra vajton, shikoni yjet a kaltërsinë e qiellit. Kur ju pushton trishtimi, kur ju fyejnë, ju poshtërojnë… bisedoni me qiellin. Atëherë shpirti juaj i munduar do të gjejë paqe!”(Lutja e Mbretëreshës Qiellore, 16 maj 2010).







All the contents on this site are copyrighted ©.