2011-05-19 13:56:51

Çelësi i fjalëve të Kishës: "pastria"


(19.01.2011 RV)Të dashur dëgjues, në emisionin e sotëm do të shqyrtojmë fjalën “pastërti”, ose “pastri” dhe kuptimin që merr ajo për të krishterët.

Në të gjitha fetë ndeshemi me një ndarje të qartë ndërmjet së shenjtes e paganes. Për të kaluar nga paganizmi në tempullin e kultit hyjnor është i nevojshëm një pastrim, që zakonisht bëhet me anë të ujit. Pra, kuptimi i “pastërtisë” ka për fenë natyrë sakrale e nuk do të thotë thjesht “ i larë nga papastërtitë e ndyrësitë”, por i denjë për të hyrë në tempullin e shenjtë të fesë. Domethënëse për këtë është reagimi i Isaisë profet, i cili, kur dëgjon thirrjen e Zotit, pranohet para gjyqit qiellor dhe vetë Hyjit e thotë: “I mjeri unë, qetash sharrova, sepse jam njeri me buzë të papastra, banoj në popull buzësh të papastra” (6,5). Një engjëll e pastron, që ai të mund të hyjë në tempullin qiellor e të gëzojë praninë e Zotit.
Në Besëlidhjen e Vjetër përshkruhet një legjislacion i ndërlikuar përsa i përket pastërtisë rituale. Pastria shtrihet në kaq shumë fusha, sa të përkojë me gjithçka është pozitive. Kështu, edhe ushqimi konsiderohet i pastër ose jo, duke pasur parasysh kafshët nga merret mishi apo produktet e tjera, sipas kritereve arkaike e folklorike.
Edhe njeriu mund të bëhet i papastër. Në Besëlidhjen e Vjetër përshkruhet si papastërti e rëndë lebra, apo gërbula. Aq është e vërtetë, sa i gërbuluri duhet të lajmërojë që nga larg gjendjen e vet me fjalët e Levitikut: “I ndyri, i ndyri!” (Lev 13,45-46). Edhe aktet seksuale, ose gjaku, duke qenë të lidhura me jetën, e cila konsiderohet e shenjtë, krijojnë papastërti. Natyrisht, është e papastërt edhe kufoma e njeriut e prandaj nuk mund të preket. Ky sistem i ndërlikuar rregullash për pastërtinë, shpesh i lidhur me tabù të lashta, kushtëzonte jetën e besimtarit, duke përkufizuar përmasat brenda të cilave ai mund të lëvizte.
Në këtë mënyrë, pastërtia ishte një cilësi e jashtme, e verifikueshme e nuk përkonte me pastërtinë e brendshme e morale. Risia, që solli Krishti, e ndryshoi krejtësisht këtë mënyrë të menduari e të vepruari. Vërtet, Ai kritikon ata që e kthejnë në mani, respektimin e rregullave e të traditave rituale, duke harruar se ato janë vetëm mjeti për pastrimin e ndërgjegjes. Feja e vërtetë, sipas Krishtit, shihet pikërisht në pastërtinë e zemrës e jo në atë të jashtme. Njeriun e ndyn jo aq dukja e jashtme, por cilësitë e tij të brendshme, “mendimet e këqia”, siç thotë Ungjilli (Mk 7,20.23).
Jezusi arrin deri atje sa t’i prekë të gërbulurit, duke marrë mbi vete papastërtinë e tyre, për t’i çliruar ata të mjerë nga vuajtjet. Pastaj i fton të shkojnë e ta shpallin pastërtinë e fituar, në mënyrë që të ripranohen në shoqëri e në jetën fetare e civile. Krishti i lë dishepujt të thyejnë norma të ndryshme për pastërtinë e ushqimit, takohet e madje i lavdëron të huajt, që nuk mund të merrnin pjesë në rite, pasi konsideroheshin jo të denjë, të papastër. Më vonë, Kisha do të mësojë nga Shën Pjetri se “ç’ka Hyji e ka shpallur të pastër, nuk duhet quajtur e ndytë”. Kapitulli X i Veprave të Apostujve është emblematik për këtë. Aty përshkruhet vegimi simbolik i tryezës me ushqime të papastërta, në të cilën duhet të ulet Shën Pjetri. Vetë Hyji, në vegim, e shtyn të shkojë për të ngrënë në shtëpinë e kapitenit romak Korneli, i cili ishte kthyer në fenë e krishterë, megjithëse ishte i huaj, pra “i papastërt”. Asnjë ushqim, “asgjë që hyn nga jashtë në njeriun, nuk mund ta bëjë të papastër…, sepse nuk i hyn në zemër, por në bark… Çka del prej njeriut, ajo e bën të papastër, sepse prej brendisë – prej zemrës së njeriut rrjedhin: mendimet e këqija, llojet e ndryshme të fëlligështisë, vjedhjet, vrasjet, kurorëthyerjet, dëshira e tepruar e pasurisë, mashtrimet, shfrenia, smira, blasfemitë, krenia, marrëzia” (Mk 7,18-22). Kështu thotë Ungjilli i Krishtit.








All the contents on this site are copyrighted ©.