(19.05.2011 RV)Në një fjalim të shumëpritur për të lënë gjurmë në ngjarjet
e pështjelluara të Afrikës së Veriut e të Lindjes së Mesme, presidenti amerikan Barak
Obama paraqiti sot planin e tij në mbështetje të demokracive të reja. Shumë i ngjashëm
me planin e propozuar për Evropën Lindore, pas rënies së komunizmit, ai bazohet mbi
politikën e shkopit e të karrotës, por edhe në perspektivën e vendit që zë Amerika
në botë, pas vdekjes së Osama Bin Ladenit. Obama godet ashpër me sanksione presidentin
sirian Bashar Al-Asad për mënyrën e reagimit ndaj revoltave të popullsisë, por premton
ndihmat amerikane për ato vende, që ecin drejt demokracisë. Egjipti e Tunizia janë
shtetet, që do të përfitojnë më shumë. Uashingtoni do t’i falë Kajros 1miliard dollarë
nga borxhi i jashtëm, ndërsa 1 miliard të tjerë do t’i jepen Egjiptit përmes investimit
të kapitalit privat, duke nxitur hapjen e vendeve të reja të punës në sektorë të rëndësishëm
të ekonomisë. Gjithashtu, SHBA-të do të realizojnë marrëdhënie të reja tregtare me
Lindjen e Mesme dhe me Afrikën e Veriut, duke i nxitur institucionet ndërkombëtare
të ndihmojnë sidomos Egjiptin dhe Tunizinë. Obama do të merret personalisht me paqen
izraelito-palestineze. Ai u bëri të qartë palëve se do të rrezikojnë më shumë, nëse
nuk do të merren vesh për paqen. Nesër, presidenti amerikan do të takohet me kryeministrin
izraelit, Netanijahu.