Sot Kisha katolike përkujtoi Shën Gjonin I, papë e martir
(18.05.2011 RV)“Shumë të rënda, sipas gjykimit të njerëzve, janë fajet e tua
si njeri e si mbret: etje e pangopur për pushtet e për masakra, tolerancë e tepruar
ndaj marrëzisë së ndjekësve të tu, mendjemadhësi e mashtrim…”. Kështu, me gojën e
një engjëlli, shkrimtari i njohur italian, Giovanni Papinni i flet Teodorikut në veprën
e tij kushtuar gjyqit universal. E ja edhe përgjigja: “Isha në krye të njërës nga
kopetë e endacakëve të uritur dhe gjithë autoriteti im si kapiten e si mbret nuk mund
t’i kthente sa çel e mbyll sytë në grigjë psalmistash e njerëzish që gjunjëzohen para
Zotit….. Romakë të rifuqizuar e Gotë të rifisnikëruar duhet të shkriheshin në një
popull të vetëm e të fortë, të aftë për t’i ridhënë Italisë vendin e parë në botë.
Nuk ishte faji im në se kjo ëndërr fisnike mbeti vetëm ëndërr”. E kujtuam këtë
fragment nga vepra e Papinit, sepse jeta e Shën Gjonit I, papë, lidhet ngushtë pikërisht
me dramën politiko-fetare të Teodorikut. Toskan nga lindja, Gjoni u ul në fronin
e papnisë pas papës Ormisda më 15 gusht të vitit 523. Ndonjë studiues e identifikon
me Gjonin diakon, autor i “Epistola Senarium”, letër me rëndësi të madhe për historinë
dhe liturgjinë e Pagëzimit, sepse ndoshta është i vetmi dokument që vërteton traditën
e Kishës së Romës për të ngritur e për të shuguruar të Shtunën e Madhe shtatë elterë
si dhe për të shtënë në Kelk një përzjerje qumështi e mjalti. Përveç tjerash, Gjoni
diakon njihet si autor i traktatit “De fide catholica”, që erdh deri në kohët tona
përmes veprave të Severino Boecio-s. Kur i biri i Kostancit u bë papë, Ormisda
dhe perandori Justin, ungji i Justinianit, e kishin kapërcyer që prej pesë vjetësh
skizmën që pati ndarë Romën nga Kostantinopoja në vitin e largët 484 për shkak të
perandorit Zenon, i cili ishte përpjekur të realizonte një kompromis të pamundur ndërmjet
katolikëve e monofizitëve. Duke qenë se përpjekja solli edhe kthesa politike e se
gotët ishin arianë, rreth vitit 524 Justiniani publikoi një edikt, me të cilin urdhëronte
mbylljen e kishave ariane të Kostantinopojës dhe dëbimin e heretikëve nga çdo detyrë
civile e ushtarake. Atëherë Teodoriku e detyroi Papën Gjoni I të shkonte në Kostantinopojë
për të kërkuar nga perandori shfuqizimin e dekretit: manifestimet që u organizuan
për ta pritur Papën, qenë të jashtzakonshme: rreth 15 mijë vetë i dolën para me qirinj
ndezur e me kryqa, duke i krijuar Gjonit I edhe mundësitë të kryesonte kremtimet solemne
të Krishtlindjes e të Pashkëve. Justini pranoi kërkesën për t’ia kthyer arianëve
kishat e shtetëzuara, por nguli këmbë të mos ua njihte arianëve të kthyer në katolicizëm
të drejtën të bëheshin përsëri arianë. Kaq mjaftoi që Teodoriku, njeri tepër dyshimtar,
që tashmë i kishte mbytur Boecion e Simakun, të mendonte për një krim të ri. Sapo
u kthye nga Kostantinopoja, Gjoni I papë u flak në burgun e Ravenës, ku edhe vdiq
ndër tortura më 18 maj të vitit 526. Trupi i Papës shenjt u mbart në Romë, në Bazilikën
e Vatikanit, ku nderohet si martir. Simboli i tij është palma.Emëri Gjon, fort i përdorur
në të gjitha kohërat e në të gjitha vendet, vjen nga gjuha hebraike e do të thotë
dhuratë e Zotit.