(18.05.2011 RV)Në përfundim të audiencës të përgjithshme, Papa i lartoi Zotit
lutjen për Kishën kineze. Më poshtë, teksti i plotë:
“Gjatë kohës
së Pashkëve, liturgjia këndon Krishtin e ngjallur, ngadhënjyes mbi vdekjen e mbi mëkatin,
të gjallë e të pranishëm në jetën e Kishës e në ngjarjet e botës. Lajmi i mirë i Dashurisë
së Zotit, dëftuar në Krishtin, Qengjin e flijuar, Bariun e Mirë, që jep jetën për
të vetët, përhapet pambarimisht deri në skajet më të largëta të tokës e, njëkohësisht,
has kundërshtime e pengesa në të katër anët e botës. Si atëherë, akoma sot: nga Kryqi,
tek Ngjallja! Të martën, më 24 maj, është dita kushtuar kujtimit liturgjik të Zojës
Ndihmëtare, që nderohet me devocion të madh në Shenjtëroren e Sheshanit në Shangai:
mbarë Kisha mblidhet në një lutje korale me Kishën në Kinë. Atje ku, ashtu si në
disa vende të tjera të botës, Krishti vijon të pësojë mundimet e Kalvarit. Ndërsa
shtohet numri i atyre, që e pranojnë si Zotin e tyre, shumë të tjerë akoma nuk duan
ta njohin, e mohojnë, e persekutojnë: “Saul, Saul, pse po më salvon?” (At 9,4).
Kisha në Kinë, posaçërisht në këtë çast, ka nevojë për lutjen e Kishës universale.
I ftoj, në radhë të parë, të gjithë katolikët kinezë, ta vijojnë e ta thellojnë lutjen,
duke ia drejtuar posaçërisht Marisë, Virgjërës së fortë. Por edhe të gjithë katolikët
e botës duhet ta shikojnë si impenjim të rëndësishëm, sepse këta besimtarë kanë të
drejtë për lutjen tonë, kanë nevojë për lutjen tonë. E dimë, nga Veprat e
Apostujve, se kur Pjetri ishte në burg, të gjithë u lutën me forcë e nxorën nga Zoti
hirin që një engjëll ta lironte. Edhe ne bëjmë të njëjtën gjë: lutemi me gjithë
shpirt, të gjithë së bashku, për këtë Kishë, me besim se me lutje, mund të bëjmë diçka
reale për të. Katolikët kinezë, siç e kanë pohuar shumë herë, duan të jenë
të bashkuar me Kishën Universale, me Kryebariun, me Pasardhësin e Pjetrit. Me lutje
mund të nxjerrim hirin që Kisha në Kinë të jetën një, e shenjtë e katolike, besnike
dhe e vendosur në doktrinën edhe në disiplinën kishtare. Ajo e meriton gjithë dashurinë
tonë. E dimë se, ndërmjet vëllezërve tanë ipeshkvij, disa vuajnë dhe e ushtrojnë
shërbimin ipeshkvnor nën presion. Atyre, meshtarëve dhe të gjithë katolikëve, që kapërcejnë
vështirësi të panumërta në përpjekjen për praktikimin e lirë të fesë, u shprehim afërsinë
tonë. Me lutjen tonë mund t’i ndihmojmë të gjejnë rrugën për ta mbajtur të gjallë
fenë, të fortë shpresën, të zjarrtë dashurinë e krishterë për të gjithë e të pacënuar,
besën dhënë Kishës, që e trashëguam nga Zoti e nga Apostujt e që na u transmetua besnikërisht
deri në ditët tona.Me lutje mund të nxjerrim hirin, që dëshira e tyre për
t’i përkitur një Kishe të vetme e universale, ta kapërcejë tundimin për të ecur në
një rrugë të pavarur nga Pjetri. Lutja mund të nxjerrë, për ta e për ne, hirin
e gëzimit e të forcës për ta kumtuar e për ta dëshmuar, me guxim e pa pengesa, Jezu
Krishtin e kryqëzuar e të ngjallur, Njeriun e ri, ngadhënjimtar mbi mëkatin e mbi
vdekjen. Me të gjithë ju i lutem Marisë të ndërmjetësojë që secili prej tyre të
lidhet gjithnjë më ngushtë me Krishtin e t’i dhurojë gjithnjë më bujarisht vetveten
vëllezërve. Marisë i lutem t’ua ndriçojë mendjen atyre, që dyshojnë; t’i thërrasë
përsëri, ata që dredhuan rrugë; t’i ngushëllojë të munduarit; t’i përforcojë të gjithë
ata, që tundohen të bien në grackën e joshjeve të oportunizmit. Virgjër Mari, Ndihma
e të krishterëve, Zoja jonë e Sheshanit, lutu për ne!