2011-05-18 17:33:32

Benedikti XVI: Zoti është dashuri që fal, por ka nevojë për zemra të mira, që ta shpëtojë njeriun nga e keqja.


(18.05.2011 RV)Sot, në audiencën e përgjithshme, Papa vijoi katekizmin kushtuar lutjes, duke e lidhur ngushtë me Biblën që, theksoi, na prin për të thelluar dialogun e besës së lidhur ndërmjet Zotit e njeriut, i cili përshkon gjithë historinë e shëlbimit, deri në kulm, deri në fjalën e fundit, deri tek Jezu Krishti. Duke përshkuar këtë rrugë, kujtoi Papa, do të ndalemi tek disa tekste të rëndësishme e disa figura paradigmatike të Besëlidhjes së Vjetër e të Re. Do të jetë Abrahami, Patriarka i madh, ati i të gjithë besimtarëve (cfr Rom 4, 11-12.16-17), që do të na japë shembullin e parë të lutjes, në episodin e ndërmjetësimit për qytetet e Sodomës e të Gomorrës. Dëshiroj të përfitoj, shtoi Papa, nga kjo rrugë, në të cilën po nisim shtegtimin, që të mësohemi ta njohim më mirë Biblën, që, shpresoj, e keni të gjithë në shtëpitë tuaja e, gjatë javës, të ndaleni një ças, ta lexoni ta meditoni në lutje, për ta njohur më thellë historinë e besës së lidhur ndërmjet Zotit e njeriut: Zotit, që flet, e njeriut, që përgjigjet, që lutet”.RealAudioMP3

Në një katekizëm tejet të thellë e tërheqës, Papa tregoi historinë e forcës së lutjes për ndërmjetësim, nga Abrahami, tek Krishti. Pas dy meditimeve të para, me të cilat filloi ciklin e ri të katekzimit kushtuar lutjes, si fenomen universal, sepse i pranishëm në të gjitha kulturat, Benedikti XVI sot e mori shtytjen nga një episod, në të cilin protagonist është Patriarku i madh hebre, “ati i të gjithë besimtarëve”. Papa i mori për dore besimtarët, për t’u prirë në Kapitullin e 18 të Librit të Zanafillës: “Zemërimi i Zotit ndizet flakë. Është gati t’i zhdukë nga faqja e dheut të gjithë banorët e Sodomës e të Gomorrës, për shkak të mbrapshtive të tyre. Abrahami, përballë Tij, i lutet me guxim ngulmues: vërtet, e pyet, Zoti mund t’i shfarosë edhe të drejtët, së bashku me fajtorët? Vërtet Gjykatësi i drejtë, do të jetë aq i padrejtë, sa ta zhbijë mbarë qytetin, në se në të do të ketë qoftë edhe vetëm 50 të drejtë? Me këto fjalë, pohoi Papa, Abrahami vë para Zotit, nevojën për ta shmangur drejtësinë, që rëndon mbi të gjithë, pa përjashtim. Për më tepër, duke iu drejtuar Zotit, Abrahami nuk kufizohet të ndërmjetësojë vetëm për të pafajshmit, por kërkon mëshirë për të gjithë:
“Duke bërë kështu, vë në dukje idenë e një drejtësie të re: drejtësi, që nuk kufizohet në dënimin e fajtorëve, siç bëjnë njerëzit, sepse është e ndryshme, hyjnore, e kërkon të mirën dhe e krijon, përmes faljes. E falja e shndërron mëkatarin, e kthen në rrugën e drejtë, e shpëton. Me lutjen e tij, Abrahami nuk kërkon drejtësi, që pret shpërblim, por ndërhyrje shpëtimtare. Një drejtësi e tillë, duke pasur parasysh të pafajshmit, i çliron nga faji edhe të mbrapshtët, të cilët i fal, pavarësisht nga fajet”.
Mendimi i Abrahamit, nënvizoi Benedikti XVI, që na duket gati-gati paradoksal, mund të përmblidhet me fjalët: nuk kam sesi t’i trajtoj të pafajshmit si fajtorë, sepse kjo do të ishte e padrejtë:
“… ndërsa janë fajtorët, që duhen trajtuar si të pafajshëm, duke zbatuar një drejtësi më të lartë e duke u krijuar, kështu, mundësinë e shpëtimit, sepse kur keqbërësit e pranojnë ndjesën e Zotit dhe e rrëfejnë fajin, duke kërkuar shpëtim, nuk do të vijojnë më të bëjnë keq, do të kthehen edhe ata në të drejtë, pa pasur nevojë për ndëshkim”.
Drejtësia e Zotit, shumë më e lartë se ajo e njerëzve, fal, më shumë se ndëshkon, sepse Zoti nuk është ‘dënim’, por ‘mëshirë’. Abrahami e di e prandaj, vërejti Papa, nuk i kërkon Zotit atë, që i kundërvihet drejtësisë së tij, por troket në zemrën e Zotit, a më mirë të themi, rrëmon në thellësitë e mëshirës hyjnore, gati-gati duke ia rrëmbyer mundësinë e shpëtimit për Sodomën e Gomorrën, edhe për dhjetë të drejtë, sepse e di mirë që Zoti, dëshiron gjithnjë të shpëtojë, të japë jetë, ta shndërrojë të keqen në të mirë:
“Me këtë lutje, Abrahami ia jep jo vetëm zërin e tij, por edhe zemrën e tij, vullnetit hyjnor; dëshira e Zotit është mëshira, dashuria, shpëtimi. Me zërin e lutjes së tij, Abrahami i jep zë dëshirës së Hyjit, që nuk do ta shkatërrojë, por ta shpëtojë Sodomën, t’i japë jetë mëkatarit të penduar”.
Por, për fat të keq, as në Sodomë e as në Gomorrë, nuk u gjetën as dhjetë të drejtë e atëherë Zoti i bëri pluhur e hi. Zoti është i mirë, u kujtoi Papa besimtarëve, por ka nevojë për një grimcë mirësie, prej nga mund të niset, për ta larguar të keqen e madhe; ka nevojë për një thërrime pendese, të ndjerë në thellësitë e shpirtit, për ta shndërruar zemërimin në dashuri e hakmarrjen në falje. Ka nevojë të gjejë në realitetin e sëmurë, farëzën e së mirës, që të mund ta shërojë gjithë jetën në lëngim. Prej këndej, Papa uroi…
“që në qytetet tona të gjindet fara e së mirës e të bëjmë gjithçka, për të pasur ndërmjet nesh së paku dhjetë të drejtë, që falë tyre, qytetet tona të jetojnë e të mbijetojnë, duke shpëtuar nga hidhërimi më i madh, që mund të provojë zemra njerëzore: mungesa e Zotit”.
Kjo histori ka një fund të jashtëzakonshëm: në se për Sodomën e Gomorrën shpëtimi varej nga dhjetë të drejtë, që nuk u gjetën, më vonë, për Jeruzalemin, siç do të profetizojë Jeremia - do të mjaftonte vetëm një i drejtë, për ta shpëtuar. Numri, vërejti Papa, krejt i vogël, zvogëlohet në kulm, ndërsa mirësia e Zotit rritet, duke u bërë gjithnjë më e madhe. E megjithatë, as kjo nuk mjafton! Njeriu nuk i përgjigjet me të mirë, kësaj mëshire të pambaruar të Zotit, e prandaj Jeruzalemi, i rrethuar, lëshohet në dorë të armikut:
“Duhet që Zoti vetë ta bëjë këtë drejtësi. E ky është misteri i mishërimit: për të shpëtuar një të drejtë, Zoti vetë bëhet njeri. I drejti përfundimtar, i pafajshmi i përkryer, që do ta shpëtojë mbarë botën, duke vdekur mbi kryq, duke e falur njerëzimin e duke ndërmjetësuar për ata “që nuk dinë çfarë bëjnë!” Prej këndej, lutja e çdo njeriu do të ketë përgjigje, çdo ndërmjetësim yni, do të gjejë hir”.
Në përfundim të katekizmit, në gjuhë të ndryshme, Papa përshëndeti posaçërisht meshtarët, që kanë kryer studimet në Universitetet e ndryshme Papnore të Romës, duke i nxitur që, sapo të rikthehen në vendet e tyre, ta vënë në jetë me fryt përvojën kulturore e meshtarake, fituar në vitet e përgatitjes. Përshëndetje edhe diakonëve të Kolegjit Urbanian të Propaganda Fides dhe rregulltarëve të Kongregatave të të Shenjtnueshmit Sakrament dhe të Misionarëve monfortanë, mbledhur në kapitujt e përgjithshëm. Papa i uroi që nga këto takime të rilindë një frymëzim i ri rregulltar, me rrënjë të vjetra, në shërbim të Ungjillit.







All the contents on this site are copyrighted ©.